Krasniqi ia shpreh ambasadorit francez rezervat për planin evropian
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka pritur në takim ambasadorin e Francës në Prishtinë, Olivier Guerot, me të cilin ka biseduar për procesin e dialogut me Serbinë.
Krasniqi ka bërë me dije se ia ka shprehur rezervat ambasadorit francez për planin evropian për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Pata kënaqësinë të pres në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot, me të cilin diskutuam rreth situatës aktuale politike në vend dhe zhvillimeve në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ambasadorit Guerot, i shpreha qëndrimet e Partisë Demokratike të Kosovës rreth këtij procesi dhe rezervat që i kemi shfaqur edhe publikisht lidhur me marrëveshjen aktuale të prezantuar, duke u fokusuar posaçërisht në mungesën e njohjes së ndërsjellë si rezultat përfundimtar i procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. PDK-ja mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe koordinim konstruktiv me aleatët tanë ndërkombëtarë, gjithmonë në funksion të arritjes së qëllimeve tona shtetërore”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.