Krasniqi ia shpreh rezervat për planin evropian edhe emisarit të Gjermanisë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memi Krasniqi, ka zhvilluar një telefonat me të dërguarin special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, me të cilin ka biseduar për procesin e dialogun me Serbinë.
Krasniqi ka bërë me dije se edhe diplomatit gjerman ia ka treguar rezervat që PDK-ja ka për planin e evropian.
“Sot zhvillova një telefonatë me të dërguarin special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, me të cilin diskutuam gjerësisht për propozimin evropian, të pranuar tashmë nga kryeministri Kurti. Sikur edhe në takimet e tjera të këtyre ditëve, edhe emisarit Sarrazin i ripërsërita qëndrimin e PDK-së dhe rezervat që ne kemi në raport me këtë propozim, që është i pamjaftueshëm për Kosovën”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.
I pari i PDK-së ka bërë me dije se të njëjtat rezerva i ka shprehur dhe në qendrat tjera të rëndësishme.
“Unë i kam deklaruar në Uashington, Bruksel dhe në Kuvend të Kosovës pesë pikat të cilat duhet të jenë shtylla të një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse, ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme me Serbinë. Që të gjitha kanë qenë në linjë me interesin shtetëror të Kosovës dhe me qëndrimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë. Fatkeqësisht, si pasojë e kokëfortësisë së tij dhe mos koordinimit me aleatët tanë, kryeministri Kurti ka dështuar në procesin e dialogut – duke mos përmbushur kërkesat dhe qëllimet tona shtetërore”, ka shkruar Krasniqi.