Krasniqi: Ilhan Kyuchyuk ka kontribuar në promovimin e vlerave evropiane
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi para fillimit të vizitës zyrtare, sot, në Maqedoninë e Veriut, ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar në Universitetin Amerikan të Evropës – FON për nderimin e eurodeputetit Ilhan Kyuchyuk me titullin “Doktor Honoris Causa”.
“Para fillimit të vizitës dhe takimeve zyrtare, sot në Maqedoninë e Veriut, në mesin e shumë zyrtarëve shtetërorë, komunitetit akademik, diplomatëve e përfaqësuesve politikë të partive liberale nga rajoni, mora pjesë në ceremoninë e organizuar në Universitetin Amerikan të Evropës – FON, në Shkup, ku u nderua me titullin “Doctor Honoris Causa” eurodeputeti dhe miku im, Ilhan Kyuchyuk”.
“Si raportues për Maqedoninë e Veriut dhe raportues në hije për Kosovën, në Parlamentin Evropian, Ilhani ka bërë një punë të jashtëzakonshme në promovimin e të ardhmes evropiane për Ballkanin Perëndimor. Ai, gjithashtu, ka kontribuar shumë edhe në zhvillimin e bashkëpunimit shkencor, arsimor, si dhe në promovimin e vlerave evropiane në përgjithësi. Gjithmonë kënaqësi takimi me të!”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.