Krasniqi: Jemi optimistë se do të kalojë demarkacioni
Shefi i grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka shprehur optimizëm se votat për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi do të sigurohen në çastin e hedhjes së projektligjit në votim.
Ndonëse ka pranuar se tani për tani nuk janë votat e mjaftueshme për kalimin e kësaj marrëveshje, Krasniqi beson se dikush prej deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje ose të Listës Serbe do ta votojë këtë marrëveshje. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka ftuar deputetët e këtyre subjekteve politike të votojnë ndryshe prej qëndrimeve partiake.
“Ne shpresojmë që në momentin e fundit kur do të votohet projektligji do të kemi më shumë se 80 vota, qofshin ato nga deputetët e Listës Serbe apo të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka bërë me dije se deri më tani disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë shprehur një qëndrim ndryshe nga ai i lidershipit partiak për çështjen e demarkacionit.
“Evidente është se tashmë dihet se ka deputetë brenda grupit të Vetëvendosjes, të cilët nuk e ndajnë mendimin refuzues për demarkacionin të paraqitur nga krerët e kësaj partie. Kjo varet nëse do të kenë ata kurajë për të votuar në interes të qytetarëve të Kosovës dhe jo në interes të lidershpit partiak. Kjo është çështje që mbetet të shihet në seancë”, është shprehur Krasniqi.
Shefi i grupit parlamentar i PDK-së ka treguar se Lista Serbe deri më tani nuk ka dhënë ndonjë qëndrim përfundimtar për këtë çështje. Sipas Krasniqit, ky subjekt politik, në komunikimet që kanë pasur deri më tani, as nuk e ka mbështetur e as nuk e ka refuzuar këtë marrëveshje.
“Lista Serbe është pjesë e koalicionit dhe është e natyrshme të kemi komunikim me të edhe për këtë çështje, sikurse kemi edhe për çështje të tjera. Deri më tani nuk kemi hasur në kundërshtim eksplicit nga ana e deputetëve të tyre. E vërteta është se ata deri më tani nuk na kanë njoftuar për një qëndrim pozitiv në mbështetje të Projektligjit për marrëveshjen e demarkacionit”, është shprehur Krasniqi, duke mohuar mundësinë që Lista Serbe votën e saj për demarkacionin e ka kushtëzuar me ndonjë çështje tjetër.
“Epoka e re”: Z. Krasniqi, çfarë është diskutuar në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit e cila është mbajtur të martën?
Krasniqi: Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ka qenë e orientuar drejt vazhdimit të seancës së mbetur në gjysmë dhe, po ashtu, është diskutuar për fillimin e seancës së re meqenëse ka një numër të madh të pikave të cilat janë në pritje, duke përfshirë edhe projektligje në lexim të parë dhe në lexim të dytë. Sa i përket ratifikimit të Projektligjit për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, siç e dini, tashmë është përcaktuar që seanca e nisur të vazhdojë të mërkurën në orën 10:00. Pra, do ta vazhdojmë punën sipas këtij plani.
“Epoka e re”: Gjithë vëmendja e opinionit të mërkurën do të jetë kah Kuvendi. Koalicioni qeverisës, së bashku me LDK-në, i kanë votat e mjaftueshme për ratifikimin e demarkacionit?
Krasniqi: Vlerësoj se më e rëndësishme ka qenë të arrihet një konsensus sa më i gjerë i partive në pushtet dhe atyre në opozitë për çështjen e demarkacionit. Ne jemi të kënaqur që pas bisedave intensive kemi arritur ta kemi një pajtueshmëri edhe me LDK-në. Për fat të keq, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje vazhdojnë ta kenë një qasje refuzuese dhe kundërshtuese ndaj marrëveshjes së demarkacionit pavarësisht prej deklaratës së përbashkët të dy presidentëve, e cila në mënyrë specifike i adreson shqetësimet që kanë ekzistuar më herët nga kundërshtuesit e demarkacionit. Sidoqoftë, ju e dini tashmë se numri i deputetëve të cilët janë pjesë e këtyre grupeve parlamentare që kanë konfirmuar mbështetjen për këtë marrëveshje nuk e kalon numrin 78, ndërsa për të pasur një ratifikim të suksesshëm nevojiten 80 vota. Sot për sot ne nuk mund të themi se kjo punë ka përfunduar. Mbetemi me shpresë se në momentin kur hidhet në votim Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit të jetë shumica e nevojshme për ta kaluar me sukses këtë projektligj.
“Epoka e re”: Ditë më parë kryeparlamentari Kadri Veseli nuk e ka përjashtuar mundësinë që demarkacionin ta votojnë edhe disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje. Besoni se kjo do të ndodhë në momentin e votimit?
Krasniqi: Nuk mund të paragjykoj se si do të votojnë deputetët e këtij subjekti politik, por ajo që tashmë dihet është se ka deputetë brenda grupit të Vetëvendosjes të cilët nuk e ndajnë mendimin refuzues për demarkacionin të paraqitur nga krerët e kësaj partie. Kjo varet nëse do të kenë ata kurajë për të votuar në interes të qytetarëve të Kosovës e jo në interes të lidershipit partiak. Kjo është çështje që mbetet të shihet në seancë.
“Epoka e re”: Por Lista Serbe, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës, ende nuk ka dhënë ndonjë qëndrim të qartë rreth kësaj çështje. Keni diskutuar me këtë subjekt politik dhe cili është qëndrimi i saj përfundimtar?
Krasniqi: Lista Serbe është pjesë e koalicionit dhe është e natyrshme të kemi komunikim me të edhe për këtë çështje, sikurse kemi edhe për çështje të tjera. Deri më tani nuk kemi hasur në kundërshtim eksplicit nga ana e deputetëve të tyre. E vërteta është se ata deri më tani nuk na kanë njoftuar për një qëndrim pozitiv në mbështetje të Projektligjit për marrëveshjen e demarkacionit. Ne shpresojmë se në momentin e fundit, kur do të votohet projektligji, do të kemi më shumë se 80 vota, qofshin ato nga deputetët e Listës Serbe apo të Vetëvendosjes. Mirëpo deri në këto momente nuk kemi pasur një konfirmim zyrtar as prej Listës Serbe.
“Epoka e re”: Në komunikimin që keni pasur me Listën Serbe, ka kërkuar diçka në këmbim të votës për demarkacionin?
Krasniqi: Nuk jam në dijeni për asnjë kërkesë specifike që ka pasur Lista Serbe. Nuk ka prezantuar deri më tani një qëndrim final në lidhje me çështjen e demarkacionit. Domethënë, çfarëdo çështje që ndërlidhet me kërkesat e këtij subjekti politik për ta votuar demarkacionin deri më tani është vetëm spekulim.
“Epoka e re”: Çfarë nëse në momentin e votimit nuk do t’i keni votat e mjaftueshme për ratifikim e kësaj marrëveshje?
Krasniqi: Kjo është çështje hipotetike të cilën nuk do ta komentoj. Ne jemi optimistë se në momentin e hedhjes në votim do të kalojë Projektligji për marrëveshjen e demarkacionit.
Muhamet KOCI