Krasniqi jep dorëheqje nga pozita e kryetarit të FKK-së
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të Federatës së Karatesë së Kosovës, duke thënë se për shkak të angazhimeve të shumta nuk mund të mbante dy pozita.
“Për shkak të angazhimeve të shumta si president i KOK-ut, dhe pamundësisë për të dhënë maksimumin edhe në karate, kam dashur që t’i hapë rrugën të tjerëve për të udhëhequr me karatenë dhe vazhduar punën aty ku unë e kam lënë. Falënderoj Bordin Ekzekutiv të FKK-së, sekretarin e përgjithshëm, Nazmi Gashi, karateistët, trajnerët, gjyqtarët dhe gjithë komunitetin e karatesë për përkrahjen dhe bashkëpunimin që kishim”, ka thënë Krasniqi, i cili ia ka paraqitur dorëheqjen Bordit Ekzekutiv të Federatës së Karatesë në mbledhjen e fundit. Presidenti i KOK-ut ishte kryetar i FKK-së prej vitit 2016.