
Krasniqi: Kemi arritur kulmin e pandemisë, fundi i prillit shënon rënien e rasteve
Kosova ka hyrë në javën e gjashtë që kur u paraqiten rastet e para me Covid-19. Deri më tani janë regjistruar 480 raste me koronavirus, ku 12 prej tyre kanë përfunduar me fatalitet.
Por infektologu, Valbon Krasniqi po shprehet optimist sa i përket kësaj pandemie.
Krasniqi ka thënë se vendi ynë tashmë gjendet në kulmin e kësaj pandemie dhe se fundi i prillit do të shënojë edhe rënien e numrit të të prekurve me këtë virus.
Madje ai thotë se në fillim të muajt maj mund të ketë lehtësim të masave dhe rifillim të kthimit në normalitet.
“Ne tash jemi në javën e gjashtë dhe personalisht mendoj se ne jemi në pikë, jemi në kulminacion. Mirëpo numri i vogël i testimeve që po aplikohen në Kosovë mbase nuk lejon dokumentimin e kësaj situate. Por personalisht pres që fundi i muajit prill të na gjejë me rënie të intensitetit të të infektuarve. Asnjëherë nuk e kemi iluzionin se pandemia do të ndalet përnjëherë, por fundi i muajit prill do të duhej të shënonte rënie të numrit të të infektuarve, në mënyrë që pastaj gjatë ditëve të para të majit ne të fillojmë të lirohemi pak nga këto masa”, ka thënë Krasniqi për “Kosovapress”.