Krasniqi kërkon përgjigje nga Kurti për aferën e Martin Berishajt: Pse po e mbroni me kaq besnikëri? (video)
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka publikuar të premten një video-selfie, përmes së cilës i është drejtuar kryeministrit Albin Kurti me një varg pyetjesh se pse nuk po shkarkohet ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj pas shpërthimit të skandalit financiar dhe lidhjes së tij me mafian energjetike serbe.
Krasniqi ka theksuar se mbi dy milionë euro që janë i dhënë mikut të Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Martin Berishaj nga një kompani energjetike sllovene, me degë në Serbi, nuk dihet se ku kanë përfunduar.
“Kjo aferë e Martin Berishajt, e raportuar në media ndërkombëtare, ngre dyshime serioze për Qeverinë e Kosovës. Si mund të flitet për respektimin e shtetit të së drejtës, ndërkohë që përfaqësuesit më të lartë të shtetit tonë përfshihen në afera të tilla financiare dhe ata mbrohen nga krerët e shtetit? Si e ndikon ky skandal imazhin e shtetit tonë, tani kur jemi në prag të liberalizimit të vizave dhe kur kemi aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian?”, ka thënë Krasniqi.
Më tutje, Krasniqi ka konsideruar se qytetarët me të drejtë po pyesin dhe meritojnë të dinë se si është bërë që Berishaj për një ditë e ka marrë nënshtetësinë e Kosovës dhe të nesërmen është emëruar ambasador në Kroaci. Po ashtu, ai ka thënë se qytetarët janë duke pyetur se si e ka kaluar Berishaj verifikimin e sigurisë nga institucionet përgjegjëse të vendit dhe si është e mundur që qeveria po e mbron Berishajn me kaq besnikëri.
“Dhe më e rëndësishmja: Kryeministër, pse po heshtë për këtë skandal dhe pse po e mbron kaq shumë bashkëpunëtorin tënd të ngushtë, Ambasadorin Martin Berishaj? Ju keni premtuar se do ta luftoni korrupsionin, e tash ndodheni në mesin e një skandali rajonal të korrupsionit. Po vepron si një struc kryeministër, duke e zhytë kokën në rërë dhe duke pritë që ky problem disi do të kalojë. Por, këtë herë nuk do t’ia dalësh duke heshtur. Qytetarët po e kërkojnë të vërtetën dhe ata meritojnë ta dinë tregimin e plotë për aferën Martin Berishaj”, ka deklaruar Krasniqi.