Krasniqi: Komunitetet janë të mashtruara me premtime, shpresoj në përkrahjen e nivelit lokal dhe qendror

07 tetor 2023 | 17:10

Zëvëndëskryesuesi për Komunitete në Kuvendin Komunal në Fushë-Kosovë, Bashkim Krasniqi, ka thënë se gjendja e komuniteti egjiptian në Kosovë vazhdon të jetë sfiduese.

Krasniqi ka thënë se ky komunitet ballafaqohet probleme në arsim, punësim, infrastrukturë dhe mirëqenie sociale.

Duke folur në një intervistë për Gazetën SCANNER, Krasniqi, i cili është edhe nënkryetar i Partisë Liberale Egjiptiane, ka thënë se janë duke u angazhuar maksimalisht për avancimin e të drejtave të komunitetit që përfaqëson

“Aktualisht kemi funksion dhe dakordim shumë të mirë me institucionet e nivelit lokal. Jemi duke u munduar me forcat tona të jemi sa më afër komunitetit dhe kërkesave të tyre, jemi të vetëdijshëm që komuniteti ka kërkesa të shumta të natyrave të ndryshme dhe kjo na vështirëson punët tona”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se do ta vazhdojnë të jenë afër komunitetit, pavarësisht sfidave të mëdha.

Më tej, Krasniqi ka folur edhe për bashkëpunimin me nivelin qendror të qeverisjes në raport me përkrahjen e minoriteteve.

Ai ka thënë se përveç premtimeve, niveli qendror nuk i ka dalë në ndihmë komunitetit egjiptian.

“Të them të drejtën për momentin jemi duke hasur në shumë vështirësi. E them këtë për shkak që niveli qendror aktualisht nuk ka pasur mbështetje me projekte në interes të komunitetit egjiptian dhe kjo është shumë shqetësuese për arsye se qytetarët në përgjithësi e sidomos komunitetet janë mashtruar me premtimet e tyre për një jetë më të mirë”, ka deklaruar Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazetari Ridvan Berisha ka reaguar ndaj sulmeve të sotme terroriste…