Krasniqi: Korrigjimi i kufirit, i pamundur
Ish-kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, njëherësh kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, historiani Jakup Krasniqi, ka thënë se aktualisht është i pamundur korrigjimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se së pari do të duhet të ndodhë normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, njohja në kufijtë ekzistues, pastaj në rrethana krejt të tjera mund edhe të bisedohet për çështje të tilla.
“Shkëmbimi i territoreve mund të bëhet vetëm kur dialogu zhvillohet mes vendeve që e njohin njëra-tjetrën. Në rastin tonë kjo nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhë ashtu si po mendon i pari i vendit tonë. Një zgjidhje e tillë është e pamundur. Ne mendojmë se së pari do të duhet të ndodhë normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, njohja në kufijtë ekzistues, pastaj në rrethana krejt të tjera mund edhe të bisedohet për çështje të tilla”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka bërë me dije se idetë për korrigjim të kufirit veçse kanë filluar t’i prodhojnë pasojat. Në këtë kontekst, Krasniqi ka theksuar se deklarimet e fundit për çështjen e kufijve janë duke e rrezikuar shumë të ardhmen e shtetit dhe të kombit.
“Pasojat veç janë prodhuar. Kjo është papërgjegjësi e madhe politike. E dhimbshme është se vjen nga kreu i shtetit. Me veprime të tilla po rrezikojmë t’i humbim të gjithë shtetet që na mbështetën në rrugën e lirisë e të pavarësisë. Këto reagime sigurisht se e dëmtojnë të ardhmen e vendit. Madje kjo është bërë edhe pa asnjë koordinim me faktorin e brendshëm politik që e bën shumicën e qytetarëve të Kosovës. Konsensusi ka kohë që është bërë domosdoshmëri”, është shprehur ai, duke shtuar se kjo që po ndodh nuk i është dashur askujt. “Veprimet e njerëzve të veshur me pushtetin e forcës që, së paku, dhjetë vjet, mossundimi i Kushtetutës e i ligjeve në fuqi si dhe deklarimet e fundit janë duke e rrezikuar shumë të ardhmen e shtetit e të kombit. Kjo që ka ndodhur e po ndodh nuk i është dashur askujt. As kësaj gjenerate idealiste që kishte shumë shpresa e besim në të ardhmen e kombit e të shtetit”, ka thënë Krasniqi.
“Epoka e re”: Z. Krasniqi, si e komentoni idenë për korrigjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë? Cili është qëndrimi i Nismës Socialdemokrate lidhur me këtë çështje?
Krasniqi: Shkëmbimi i territoreve mund të bëhet vetëm kur dialogu zhvillohet mes vendeve që e njohin njëri-tjetrin. Në rastin tonë, kjo nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhë ashtu si po mendon i pari i vendit tonë. Një zgjidhje e tillë është e pamundur. Ne mendojmë se së pari duhet të ndodhë normalizimi i marrëdhënieve më Serbinë, njohja në kufijtë ekzistues, pastaj në rrethana krejt të tjera mund edhe të bisedohet për çështje të tilla.
“Epoka e re”: Duke pasur parasysh se keni pasur funksione të larta shtetërore si dhe jeni historian, është i mundur një korrigjim i kufirit?
Krasniqi: Gjuha e komunikimit që përdoret nga zyrtarët e lartë të dy vendeve jep pak shpresë për një normalizim e njohje reciproke. Frikën ma shton, sidomos gjuha “patriotike” që përdorin drejtuesit e lartë të shtetit tonë. Ata me patriotizëm i mbulojnë dështimet e tyre politike. Në rrethana të tillë unë nuk besoj se mund t’ia dalim. Me dije të tilla nuk mund të administrohet as një familje, se jo më shteti që në nismë të tij.
“Epoka e re”: A mund të ketë pasoja një veprim i tillë?
Krasniqi: Pasojat veç janë prodhuar. Kjo është papërgjegjësi e madhe politike. E dhimbshme është se vjen nga kreu i shtetit.
“Epoka e re”: Megjithatë, kjo ide, përveç që është kundërshtuar nga shumica e subjekteve politike në vend, është hedhur poshtë edhe nga shtetet më të fuqishme të botës: ShBA-ja, Britania si dhe Gjermania. Madje dje kancelarja Merkel ka bërë me dije se nuk mund të ketë rivendosje të kufijve në Ballkan?
Krasniqi: Me veprime të tilla po rrezikojmë t’i humbim të gjitha shtetet që na mbështetën në rrugën e lirisë e të pavarësisë. Këto reagime sigurisht se e dëmtojnë të ardhmen e vendit. Madje kjo është bërë edhe pa asnjë koordinim me faktorin e brendshëm politik që e bën shumicën e qytetarëve të Kosovës. Konsensusi ka kohë që është bërë domosdoshmëri.
“Epoka e re”: Deklarimet e fundit për çështjen e territoreve a po i rrezikojnë raportet e Kosovës me miqtë ndërkombëtarë?
Krasniqi: Veprimet e njerëzve të veshur me pushtetin e forcës që, së paku, dhjetë vjet, mossundimi i Kushtetutës e i ligjeve në fuqi si dhe deklarimet e fundit janë duke e rrezikuar shumë të ardhmen e shtetit e të kombit. Kjo që ka ndodhur e po ndodh nuk i është dashur askujt. As kësaj gjenerate idealiste që kishte shumë shpresa e besim në të ardhmen e kombit e të shtetit.
Shqipe HETEMI