Krasniqi: Korrigjimi i kufirit në Ballkan, kthim në katrahurën e luftërave ballkanike
Profesori i gazetarisë, Milazim Krasniqi, ka thënë se korrigjimi i kufirit në Ballkan, me efektin e dominove mund të përfshijë veriun e Kosovës, Luginën e Preshevës, Epirin Verior, Iliridën, Republikën Serbe (BeH), Sanxhakun, si dhe Çamërinë vetëm në letër.
Ai ka thënë se konfliktet mund të ringjallen ndërmjet serbëve e shqiptarëve, serbëve e boshnjakëve, shqiptarëve e grekëve, maqedonasve e shqiptarëve, boshnjakëve e serbëve, si dhe boshnjakëve e malazezve.
Madje sipas Krasniqit, ky do të ishte kthim në katrahurën e luftërave ballkanike si dhe do të ishte konspiracion kundër BE-së.
“Korrigjimi i kufirit në Ballkan, me efektin e dominove që rrëzohen njëri pas tjetrit, mund të përfshijë këto pika kritike: veriun e Kosovës, Luginën e Preshevës, Epirin Verior, Iliridën, Republikën Serbe (BeH), Sanxhakun, (Çamërinë vetëm në letër.) Pra, konfliktet mund të ringjallen ndërmjet serbëve e shqiptarëve, serbëve e boshnjakëve (dhe kroatëve) shqiptarëve e grekëve, maqedonasve e shqiptarëve, boshnjakëve e serbëve, boshnjakëve e malazezve. Ky do të ishte kthim në katrahurën e luftërave ballkanike. Në fakt, ky do të ishte konspiracion kundër BE-së. Kush po e synon shkatërrimin e BE-së, duke nxitur një tragjedi të re të Ballkan? Kush po e synon një katastrofë të re, si ajo e Sirisë, kësaj radhe në Evropë?”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/