Krasniqi: Kosova kërkon drejtësi dhe zbardhje të fatit për 1617 të pagjetur

27 prill 2022 | 13:06

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i shoqëruar nga bashkëpartiak, kanë bërë homazhe të monumenti i Personave të Pagjetur në Prishtinë.

Krasniqi ka thënë se Kosova kërkon drejtësi për 1617 të pagjeturit e saj, për të cilët edhe sot, 23 vite pas luftës, nuk dihet asgjë për fatin e tyre.

“Drejtësi për 1617 të pagjeturit! Sot, në një prej ditëve më të dhimbshme të shoqërisë tonë, bëmë homazhe te monumenti i Personave të Pagjetur në Prishtinë. Kjo ditë, edhe sot, 23 vjet pas përfundimit të luftës, mban të hapur plagët e qindra familjeve kosovare të cilat ende nuk dijnë asgjë për fatin e më të dashurve të tyre. 1617 qytetarë të Kosovës, të të gjitha moshave e gjinive, shumica absolute civilë të pafajshëm, figurojnë akoma të zhdukur”, ka shkruar Krasniqi.

Më tej, lideri i PDK-së ka thënë se lufta për këto familje nuk ka mbaruar – sepse ajo sfidon çdo ditë jetën e tyre.

“Të gjithë, me mendje e zemër jetojnë për lajmin që presin t’u vijë nga larg. Fatkeqësisht, këto thirrje dëshpëruese të nënave e baballarëve kosovarë vazhdojnë të hasin në veshin e shurdhër të shtetit serb. Asnjë informatë, asnjë përpjekje, asnjë pendim për krimet që kanë kryer në Kosovë, përkundrazi, mohues që edhe sot po vazhdojnë të fshehin krimet”, ka thënë më tej kryetari i PDK-së.

Në fund, Krasniqi ka thënë se drejtësia është vonuar me familjet e të pagjeturve dhe uron që kjo pritje të marrë fund shumë shpejtë.

“Zbardhjen e fatit të tyre dhe dënimin e përgjegjësve Kosova do ta kërkojë gjithmonë. Pa zbardhjen e fatit të qytetarit të fundit që figuron i zhdukur, Kosova nuk do të gjejë asnjëherë qetësinë e saj!”, ka përfunduar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Udhëheqësi i Komisionit të PDK-së për organizim në mërgatë, deputeti…