Krasniqi: Kosova si shtet multietnik s’ka hapësirë për mosdurim etnik

25 nëntor 2021 | 13:33

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka deklaruar se Kosova si shtet multietnik s’ka hapësirë për dhunë e mosdurim etnik.

Në një konference për medie bashkë me zëvendëskryeministren, Emilia Rexhepi, ai ka vlerësuar lartë reagimet shoqërore që janë bërë ndaj rasteve të fundit ku janë diskriminuar pjesëtarët e pakicave.

“Si Qeveri jemi shumë të brengosur për këto raste. Këto raste janë raste që e prishin fotografinë shumë etnike të Kosovës dhe Kosova si shtet multietnik nuk ka hapësirë për dhunë dhe mos durim etnik. Rasti në Gjakovë është një nga ato rastet që jep jehonë e madhe dhe është bërë mirë që u bë kështu. Mirëpo ka raste të tjerë që raportohen ditë pas dite nga përfaqësues të shoqërisë civile nga aktivistë të ndryshëm që ballafaqohen me këto problematika, ka qenë shumë i mirë reagimi gjithë shoqëror”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka deklaruar se kjo çështje është diskutuar edhe me grupin punues për parandalimin e diskriminimit.

“Përfunduam takimin e grupit teknik për parandalimin e diskriminimit. Diskutim për mundësinë e krijimit të instrumenteve shtesë që mundësojnë raportimin e rasteve të tilla. Sot u diskutua për platformën online i cili nga janari e tutje do të jetë në funksionim ku qytetarët të cilët kanë problem do të mund të raportojnë çdo lloj diskriminimi. Sot diskutuam edhe për faktin jo të gjithë qytetarët e dinë për Institucionin e Avokatit të Popullit , jo të gjithë ata mund të raportojnë në mënyrë që Avokati i Popullit të iniciojë rastin ku ka edhe element të shkeljes së drejtave të njeriut”, ka deklaruar Krasniqi.

Kurse, zëvendëskryeministrja, Emilja Rexhepi, është pyet edhe për vizitën në Sarajëve.

Ajo ka treguar se qëllimi i kësaj vizite ishte të reagohet rreth pranimit të dokumenteve të shtetit të Kosovës në qeverinë boshnjake. “Në lidhje me vizitën time në BeH, ne së bashku me ministrin për zhvillim rajonal kemi realizuar një vizitë zyrtare me oden e tregtisë së jashtme në BeH ku presim që afaristët tonë me prodhime vendore dhe afaristët atje t’i përafrojnë qëndrimet e tyre dhe do të jemi partner kompakt për tregun e ardhshëm që pritet vitin e ardhshëm, ndërsa qëllimi i kësaj vizite ka qenë që ne të reagojmë rreth pranimit të dokumenteve tona në qeverinë boshnjake përkatësisht tek përfaqësuesit boshnjak dhe kroat që janë atje rreth procesit të njohjes së shtetit të Kosovës dhe pavarësisë sonë”, ka deklaruar Rexhepi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Kuvendin e Kosovës është duke u bërë shqyrtimi në…