Krasniqi: Krijimi i Gjykatës Speciale ishte i domosdoshëm
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se sot ka uruar ish-kryetarin e partisë, Kadri Veselin, me rastin e 55-vjetorit të lindjes.
“Dhe më vjen shumë keq që keq se ku po e pret atë ditëlindje. Por i kam vizituar dhe i njoh se si janë dhe në çfarë gjendje janë. Kjo është një barrë jo personale për ta, por për tërë luftën për liri”.
Krasniqi u shpreh se është e vërtetë se kjo gjykatë është votuar nga PDK-ja për t’u krijuar, por nuk po merret me atë për të cilën është themeluar.
“Kjo gjykatë nuk po merret me ato dyshime të çmendura të raportit të Dick Martyt”, thotë Krasniqi.
Ai rikujton edhe kohën kur është votuar Gjykata Speciale, pikërisht nga deputetët e PDK-së.
“I gjithë faktori ndërkombëtar na ka thënë se kjo e zezë duhet të hiqet duke inkurajuar të votohet. Ne kemi thënë se nuk kemi pse t’i ikim të vërtetës, sepse nuk ka pasur çfarë të fshihet. Ata deputetë e kanë votuar, por nuk e kanë pritur se do të dalë kështu”.
Kryetari i PDK-së në RTK u shpreh se iniciativa ka qenë që Gjykata Speciale të jetë në Kosovë dhe kjo ka qenë iniciativa e atëhershme në Kuvendin e Kosovës.
“Kjo gjykatë është sipas ligjeve të Kosovës, por kjo gjykatë nuk i jep askujt llogari, as Presidentes, as Kuvendit as KGJK-së dhe askujt”, u shpreh kreu i PDK-së.
Ai thotë se është i bindur se përkundër telasheve me të cilat po ballafaqohen të akuzuarit në Hagë, drejtësia është në anën e popullit të Kosovës.
“E drejta është në anën tonë sepse UÇK ka mbrojtur pragun e shtëpisë së vet”.
Ai tha se shpreson se nuk do të jetë procesi i gjatë gjyqësor.
“Është e pakuptimtë që deri më tash nuk është aplikuar mbrojtja në liri. Si ka mundësi që ata të ikin kur vetë janë dorëzuar”, u shpreh Krasniqi, duke shprehur habinë për vendimet e njëpasnjëshme të gjykatës që ua refuzon Thaçit e të tjerëve kërkesat që të mbrohen në liri. Në kontekstin e atëhershëm, nuk ka pasur mundësi të mos krijohet kjo gjykatë”, rikujtoi Krasniqi.
Sipas tij, duke nisur nga sponsorizuesit e pavarësisë së Kosovës, si SHBA e të tjerët, të gjithë thoshin se duhej të hiqet kjo njollë e zezë, për ato dyshimet të ngritura.
“Na thoshin, se po thuhet se njerëzit tuaj kanë shitur veshkë”, thotë Krasniqi, duke shpjeguar kërkesat e miqve ndërkombëtarë që kërkonin që Gjykata të krijohet. Por puna e Gjykatës ka devijuar dhe nuk është duke u marrë me pretendimet për të cilat është krijuar”.
Në këtë rast ai tha se shteti ka vetëm një rol, e ajo është ndihma financiare ndaj ekipeve mbrojtëse, për të akuzuarit dhe familjarët e tyre, për t’iu lehtësuar shpenzimet.