Krasniqi: Kryeministër, për hir të fëmijëve, gjej zgjidhje!
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar sërish për grevën në arsim.
Ai ka shkruar në “Facebook” se mbi 300 mijë nxënës po vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi edhe sot, e do të duhej të ishin në shkollë qe gati tri javë.
“Refuzimi i qeverisë për dialog po vazhdon t’i dëmtojë të gjithë, e më së shumti nxënësit. Nga 1 shtatori, jeta e prindërve dhe mësimdhënësve është vështirësuar edhe më tej. Kjo bllokadë, që po ndodhë si pasojë e kokëfortësisë së Qeverisë, kërkon zgjidhje urgjente”.
“Mësimdhënësit nuk po kërkojnë pazare e as lëmoshë – por, vetëm dinjitet! Dinjiteti është boshti i veprimtarisë së tyre historike dhe qeveria nuk duhet t’ua mohojë këtë vlerë. Janë po këta njerëz që edhe në periudha më të vështira kanë ruajtur dinjitetin tonë njerëzor e kombëtar. Duhet t’i mirëkuptojmë, sepse janë prindërit tonë të dytë. Kryeministër, për hir të fëmijëve, gjej zgjidhje!”, ka shkruar Krasniqi.