
Krasniqi kujton martirët dhe dëshmorët e Lagjes së Re dhe Rakocit në Kaçanik
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kujtuar masakrën e 9 prillit të vitit 1999 në Lagjen e re dhe Rakoc të Kaçanikut, ku ranë 28 dëshmorë dhe 32 martirë të pafajshëm.
Krasniqi tha se në këtë zie, kujtimi për ta nuk është vetëm detyrim moral, por amanet që i obligon të mos harrojnë dhe të mos ndalen në rrugën e drejtësisë.
“Në këtë ditë zie e krenarie, përkulemi me nderim para kujtimit të dëshmorëve dhe martirëve të Lagjes së Re dhe Rakocit. Kujtimi për ta nuk është vetëm detyrim moral, por amanet që na obligon të mos harrojmë dhe të mos ndalemi në rrugën e drejtësisë, dinjitetit dhe zhvillimit të vendit tonë,” u shpreh Krasniqi.
Ai shtoi se PDK-ja do të jetë gjithmonë në ballë të përpjekjeve për ta ruajtur të gjallë kujtimin për të rënët dhe për ta çuar përpara vizionin për një Kosovë të lirë, të zhvilluar dhe demokratike
“Partia Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e vlerave të luftës çlirimtare dhe në respektimin e përhershëm të atyre që sakrifikuan jetën për atdheun”, përfundoi ai.