Krasniqi: Kurti nuk bëri asnjë veprim për të vënë drejtësi për Astrit Deharin

05 nëntor 2021 | 13:00

Partia Socialdemokrate në 5-vjetorin e vdekjes së Astrit Deharit kanë bërë një aksion simbolik duke vendosur pankarta të objekti i Qeverisë së Kosovës.

Në këto pankarta janë shkruar deklarata që ishin bërë në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit nga kryeministri, Albin Kurti, kryekuvendari, Glauk Konjufca e ministrat, Albulena Haxhiu e Xhelal Sveçla.

Pas vendosjes së pankartave para medieve ka folur aktivisti i PSD-së, Frashër Krasniqi.

Ai ka thënë se ka dy vite që Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu kanë pushtet por s’kanë bërë asnjë veprim për ta vënë drejtësinë për Astrit Deharin.

“Astrit Dehari. Emri të cilin Albin Kurti dhe Vetëvendosja nuk e hoqën nga goja për katër vite rresht. Emri të cilin Albin Kurti e përmendi vetëm pasi vdiq. S’e zuri në gojë as atë dhe as rastin e padrejtë gjyqësor ndaj nesh, për dy muaj resht pas arrestimit tonë. Astrit Dehari. Emri të cilin Albin Kurti filloi ta përmendte vetëm pasi iu bë i përdorshëm politikisht dhe elektoralisht. Emri të cilin Albin Kurti nuk e përmendi më asnjëherë prej ditës kur e mori pushtetin me 51 për qind të votave. Ka dy vite që Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu kanë pushtet. Ka tetë muaj që Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu kanë shumë pushtet. Mbi 51 për qind të pushtetit. Por s’ka asnjë veprim për ta vënë drejtësinë për Astritin në vend. Kur vdekja e tij ishte e përdorshme, tri vite pa drejtësi u dukeshin tepër shumë, zotoheshin që drejtësinë për të do ta kishin prioritet qeverisës, ankoheshin që 5-vjetori nuk duhet të na gjejë me kërkesën për drejtësi, flisnin për të në çdo tubim elektoral”, ka thënë Krasniqi.

May be an image of 9 people, people standing and outdoors

Ai ka shtuar se Vetëvendosja tash po bënë homazhe, nga pozita e një pushteti që nuk ka bërë asgjë për të sjellë drejtësinë për Astritin.

“Për ta Astriti kishte një funksion elektoral. Ai funksion u krye. Prandaj tash duan ta mbajnë në nivel homazhi. Në nivel përkujtimi. Tash kur janë në pushtet, më nuk thërrasin për drejtësi. Thërrasin për përkujtim. Edhe atë vetëm një herë në vit. Në përvjetorin e vdekjes së tij. Sepse sot, thirrja për drejtësi për Astritin është thirrje që duhet t’ia drejtojnë vetes. Duhet t’i drejtohet qeverisë. Qeverisë Kurti. Sot, Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu duhet të mbajnë përgjegjësi për mos-veprim në vënien e drejtësisë në vend. Ose së paku duhet të pranojnë para qytetarëve të Kosovës që kanë mashtruar e keqpërdorur elektoralisht e politikisht, me vdekjen e shokut tonë, bashkaktivistit, Astrit Dehari”, ka deklaruar Frashër Krasniqi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Milanit dhe Interit do të përballen të dielën…