
Krasniqi: Kurti po e mban peng shtetin e Kosovës
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka akuzuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, se po e mban peng vendin duke mos e ndërruar emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit.
“Kjo vërtet tash është e pakuptimtë, e turpshme që për teke të një personi të mbetet peng shteti. Kjo është ndërmarrje e shtetit të Kosovës për tekat e një njeriu. Sikur të donin, kanë pasur mundësi, e të njëjtën e kanë edhe pasnesër, që ta ndërrojnë kandidatin sepse nuk imponohet kandidati kur s’e ki shumicën parlamentare. Këta nuk kanë numra, dhe fakti që Albin Kurti nuk mundet të jetë kryeministër i ardhshëm i Kosovës, është duke e mbajtur peng edhe Kuvendin edhe institucionet, edhe vendin e shtetin tonë”, ka thënë Krasniqi pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit.