Krasniqi, Kurtit: Lëri inatet personale, koordinohu me partnerët ndërkombëtarë për lirimin e policëve
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka kërkuar nga qeveria dhe kryeministri Albin Kurti një rol më aktiv, qoftë edhe përmes bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, për lirimin e shpejtë të tre zyrtarëve policor të kidnapuar nga Serbia, Rifat Zeka, Beqir Sefa dhe Shemsi Mustafa.
“Kërkoj nga qeveria që të luaj një rol shumë më aktiv dhe të përgjegjshëm për rikthimin sa më parë në shtëpi të Rifat Zekës, Beqir Sefës e Shemsi Mustafës. Mbi të gjitha, kërkoj nga kryeministri që të tejkaloj inatet e tij personale dhe të shtoj bashkëpunimin e koordinimin me partnerët tanë ndërkombëtarë – si mënyra e më e shpejtë dhe efikase për lirimin e tyre”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.
Postimi i plotë i Krasniqit:
Sot janë bërë pesë ditë nga kidnapimi i tre zyrtarëve tanë policor, brenda territorit të Kosovës, nga forcat serbe. Për pesë ditë, nuk kemi asnjë informacion për gjendjen e tyre shëndetësore, trajtimin e tyre nga autoritetet serbe dhe, fatkeqësisht, akoma asnjë vizitë tek ta.
Derisa Serbia dhe Vuçiqi po refuzojnë të lirojnë policët tanë dhe kundërligjshëm po i mbajnë në paraburgim, në anën tjetër, kryeministri dhe qeveria po na mbajnë në errësirë në lidhje me situatën e tyre.
Kërkoj nga Qeveria që të luaj një rol shumë më aktiv dhe të përgjegjshëm për rikthimin sa më parë në shtëpi të Rifat Zekës, Beqir Sefës e Shemsi Mustafës.
Mbi të gjitha, kërkoj nga kryeministri që të tejkaloj inatet e tij personale dhe të shtoj bashkëpunimin e koordinimin me partnerët tanë ndërkombëtarë – si mënyra e më e shpejtë dhe efikase për lirimin e tyre.