Krasniqi: Kush hapë një rrugë, hapë mundësi të reja për njerëzit
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka reaguar në lidhje me ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë, në afërsi të Kishës së Deçanit.
Krasniqi ka thënë se kush hapë një rrugë, hapë mundësi të reja për njerëzit.
“Rruga që po ndërtohet në afërsi të Kishës së Deçanit,e njohur botërisht si Manastiri i Deçanit, hap mundësi të reja për të parët e vetë kishës, një mundësi më të madhe për vizitorët e saj dhe një lehtësim për jetën e qytetarëve që jetojnë e bashkëjetojnë në atë pjesë të Dukagjinit”.
“Njerëzit e urtë e sidomos të parët e fesë, cilado qoftë ajo, duhet të jenë për perspektivën e jetës për njerëzit e jo për ngulfatjen e saj dhe pengimin e zhvillimit të cilitdo vend. Kushdo që bëhet pengesë për rrugën, ai rrënon urat e miqësisë e të bashkëpunimit”, ka thënë Krasniqi, transmeton “Epoka e re”.
Krasniqi ka theksuar se rruga duhet të ndërtohet. “Ajo (rruga) aty ishte denbabaden për të lehtësuar jetën e njerëzve e assesi për të penguar e armiqësuar njerëzit e besimeve apo të kombeve të ndryshme. Madje, pa atë rrugë, që ishte e është më e vjetër se vetë kisha, as kisha nuk do të ishte aty”, ka deklaruar Krasniqi.
(Qendresa Rama / Epoka e re)