Krasniqi: Kuvendi është vonë, nuk po zë hapin me zhvillimet
Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se Kuvendi i Kosovë nuk është duke e zënë hapin me zhvillimet.
Ai në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se në komisionet parlamentare janë grumbulluar 52 projektligje të cilat presin shqyrtim, ndërsa Kuvendi sipas tij deri më tani ka miratuar vetëm shtatë ligje.
Postimi i plotë i Krasniqit:
Kuvendi është vonë dhe nuk po zë hapin me zhvillimet
– SOT, Kuvendi mbanë debat parlamentar për Raportin 100 ditësh të Qeverisë, si dhe interpelancë për rritjen e pagave të anëtarëve të kabinetit qeveritar – 70 ditë vonesë;
– DJE, nuk u arrit të hedhet në votim demarkacionin me Malin e Zi – tre vite vonesë;
– PARDJE, në Kryesinë e Kuvendit sërish u bllokua kalimi i Rregullores së Punës së Kuvendit – gjashtë vite vonesë.
Ndërkohë, në komisionet parlamentare janë grumbulluar 52 projektligje të cilat presin shqyrtim, ndërsa Kuvendi deri më tani ka miratuar vetëm shtatë ligje.
Kuvendi duhet të racionalizoji kohën e vet. E këtë më së miri mund ta bëjë duke iu shmangur debateve populiste që të vetmin qëllim kanë protagonizmin individual.