Krasniqi: Kuvendi po shndërrohet në institucion jofunksional
Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kritikuar punën e Kuvendit të Kosovës duke thënë se ky institucion po bëhet jofunksional dhe i paefektshëm.
Ai ka thënë se grumbullimi i punëve të Kuvendit vjen si rezultat i planifikimit të dobët të seancave dhe mungesës së përkushtimit në punë.
Sipas Krasniqit, Kryesia e Kuvendit duhet të angazhohet shumë më shumë në organizim më të mirë të seancave plenare, duke organizuar seanca të rregullta dhe më pak të ngarkuara.
“Kryesia e Kuvendit ka caktuar vazhdimet e seancave plenare për 26 pika të papërfunduara të datave 16, 17, 18, 20 dhe 26 prill, si dhe 3 dhe 17 maj. Kjo është një fotografi që pasqyron më së miri grumbullimin e punëve të Kuvendit, që vjen si rezultat i planifikimit të dobët të seancave dhe mungesës së përkushtimit në punë. Po hyjmë në muajin qershor dhe nuk janë përfunduar pikat e muajit prill. Një çështje e cila nuk shqyrtohet në kohën e duhur i humbet edhe rëndësia. Kështu Kuvendi po shndërrohet në institucion jofunksional dhe të paefektshëm. Kryesia e Kuvendit duhet të angazhohet shumë më shumë në organizim më të mirë të seancave plenare, duke organizuar seanca të rregullta dhe më pak të ngarkuara”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/