Krasniqi: Lajçaku nuk na prezantoi draftin e Asociacionit, jemi të shqetësuar
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se emisari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak nuk u ka prezantuar draftin për Asociacionin të komunave me shumicë serbe.
Ai ka thënë se emisari i BE-së u ka thënë vetëm se drafti është në përputhje me Kushtetutën.
Sipas tij, këtë dokument qytetarëve e opozitës është dashur t’ua prezantojë Qeveria.
Ai është shprehur i shqetësuar për mos bërjen publike të draftit, duke dyshuar se aty mund të fshihet diçka, duke përdorur një shprehje: “dreqi” fshihet në detaje.
“I dërguari i BE-së shprehu qëndrimin e BE-së, duke na thënë se është një draft në përputhej me Kushtetutën. Nuk patëm mundësinë ta shohim tekstin integral. Në këtë kuadër është për t’u kritikuar qasja dhe mungesa e plotë e transparencës nga ana e qeverisë ndaj qytetarëve dhe ndaj përfaqësuesve politik”.
“Sa më parë Kosovës t’i hiqen sanksionet sidomos pas sulmit të 24 shtatorit ku ishte e përfshirë edhe Serbia. Shqetësimet janë prezente ngase nuk jemi të njoftuar në detaje e siç thotë një shprehje ndërkombëtare ‘dreqi’ fshihet në detaje, e neve na duhet t’i shohim detaje”, ka thënë Krasniqi. /EO