Krasniqi, Lajçakut: Dialogu të përmbyllet me njohje reciproke
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka pritur në takim përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Krasniqi ka bërë me dije se i ka thënë Lajçakut se qëndrimi i PDK-së është që dialogu me Serbinë të përmbyllet me njohje reciproke.
“Mëngjesin e sotëm prita në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak. Zotëri Lajçak më informoi rreth zhvillimeve të fundit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe hapave të mëtutjeshëm që pritet të ndërmerren. Atë e njoftova me qëndrimet e pandryshuara të PDK-së për procesin e dialogut, i cili duhet të përmbyllet me marrëveshje finale dhe njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.