Krasniqi: Largimi i Rusisë nga Këshilli i Evropës, një mundësi reale për Kosovën
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar pas largimit të Rusisë nga Këshilli i Evropës që u zyrtarizua dje.
Krasniqi ka thënë se ky vendim përbën një mundësi reale për Kosovën.
“Pengesat kryesore që ka pasur Kosova për vite me radhë në tentimin e saj për anëtarësim në këtë organizatë shumë të rëndësishme, fatmirësisht janë eliminuar me largimin e Rusisë. Kjo mundësi e re, ky momentum vendimtar, nuk po shfrytëzohet si duhet nga institucionet e shtetit të Kosovës. Ky rast që i është paraqitur Kosovës, nuk duhet të kaloj pa u kapitalizuar. Institucionet e shtetit duhet të nisin menjëherë dhe pa humbur kohë një fushatë lobimi dhe koordinimi me aleatët tanë strategjik perëndimorë për të planifikuar dhe përcaktuar hapat drejt aplikimit dhe anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Krasniqi ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në KE do të ishte një hap më tej drejt fuqizimit të shtetësisë por edhe fundamental për forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit në familjen evropiane e më gjerë.
“Qasja në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, aty ku zbatohen parimet e drejtësisë së Kartës Evropiane të Drejtave të Njeriut, e cila edhe ashtu është e inkuadruar brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës, do të ishte përfitim i madh për qytetarët dhe shtetin tonë. Prandaj, kjo situatë e re e krijuar, që rritë shanset e Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës, duhet të shndërrohet në agjendë me prioritet shtetëror dhe të trajtohet në mënyrë emergjente – duke u ndjekur të gjithë hapat e nevojshëm që mundësojnë anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare. Qeveria nuk duhet ta humbas këtë rast. Partia Demokratike e Kosovës, si lidere e opozitës, është e gatshme që të jap të gjithë kontributin e saj në këtë proces të rëndësisë së madhe për shtetin tonë”, ka shkruar Krasniqi.