Krasniqi: Largimi i Listës Serbe nuk nënkupton rënien e Qeverisë
Largimi i Listës Serbe nga Qeveria e Kosovës, nuk nënkupton rënien e Qeverisë së Kosovës.Kështu ka theksuar për Telegrafin njohësi i rrethanave politike, Albert Krasniqi.
Krasniqi ka thënë se largimi i Listës Serbe nga ekzekutivi nuk nënkupton që me automatizëm të bie edhe Qeveria.
Ai në një prononcim për “Telegrafin” ka thënë se nëse opozita në Kuvend nuk kërkon mocion të mosbesimit ndaj Kryeministrit, dhe nëse ky mocion nuk merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve – 61 vota, Qeveria vazhon punën.
“Problemi pastaj me të cilin mund të përballet Qeveria është kalimi i ligjeve në Kuvend dhe akteve të tjera për të cilat kërkohet vota e deputetëve. Një, Qeveria e cilat nuk ka shumicën e deputetëve në Kuvend është Qeveri jofunksionale. Opsion tjetër është që Kryeministri të kërkoj vet mocion te votëbesimit, për të parë nëse e ka ende përkrahjen e Kuvendit për të vazhduar punën. Kurse si opsione të tjera mbesin riformatimi i Qeverisë, të hyjnë në koalicion dhe parti të tjera nga opozita apo edhe shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, ka shtuar Krasniqi.
Ndryshe, të martën Lista Serbe ka thënë se do të largohet nga Qeveria e Kosovës, dhe krejt kjo si pasojë e veprimit të djeshëm të Policisë së Kosovës, e cila e ka arrestuar shefin e Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili më pas është sjellë në Prishtinë, për tu deportuar në shtetin e tij.