Krasniqi lavdëron punën e Policisë së Kosovës
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se Policia e Kosovës mbetet një ndër institucionet më të shquara, ndonëse policët nuk kanë paga dinjitoze, e kushte jo të favorshme të punës.
Krasniqi në 23-vjetorin e themelimit të policisë, ka lavdëruar punonjësit e këtij institucioni duke thënë se është përherë mirënjohës.
“23 vjet më parë, Kosova u bë me Shërbimin Policor të Kosovës, që më pas u shndërrua në polici të Kosovës, për t’i hapur rrugë mbrojtjes së qytetarëve, rendit dhe ligjit në vendin tonë. Aktualisht, policia jonë, ndonëse me kushte jo të favorshme të punës, e pa paga dinjitoze, mbetet një ndër institucionet më të shquara që ofron shërbim e siguri për secilin, pa dallim. Respekt për punën dhe angazhimin e mijëra grave e burrave që ndër vite kanë vendosur të shërbejnë në Policinë Kosovës, duke ju përmbajtur me dinjitet vizionit, misionit dhe vlerave të këtij profesioni fisnik. Përherë mirënjohës!”, ka shkruar Krasniqi.