Krasniqi: Lista Serbe dëshiron të ketë monopol mbi politikën e serbëve në Kosovë
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se procesi i votimit në katër komunat në veri të Kosovës, lidhur me shkarkimin e kryetarëve shqiptarë po shkon “qetë dhe mirë”.
Në një deklarim për gazetarët nga Leposaviqi, ku vizitoi qendrat e votimit, Krasniqi u ndal edhe te bojkotimi i procesit të votimit nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, të cilën e akuzoi se dëshiron të ketë “monopol” mbi politikën e komunitetit serb në Kosovë.
“Lista Serbe dëshiron ta ketë monopolin mbi politikën e serbëve në Kosovë. Ata i shohin institucionet vetëm për vete dhe jo për qytetarët. Ata vazhdojnë t’i kenë ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës dhe mos t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve, mirëpo t’i marrin pagat e Kuvendit të Kosovës. Tashmë qytetarët, edhe me votim, deklarojnë nëse janë për largimin e kryetarëve ose jo”, tha Krasniqi.
Ai tha se institucionet kanë realizuar të gjitha obligimet për mbajtjen e këtij procesi, duke nisur nga nxjerrja e udhëzimit administrativ në shtator, e deri tek organizimi i votimit më 21 prill.
Dalja në votime është e ulët. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 11:00, vetëm 85 persona kanë votuar.