Krasniqi: LV-ja ka çuditë dynjanë kur u bllokua nga një kërkesë e LDK-së
Profesori universitar, Milazim Krasniqi, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ‘ka çuditë dynjanë kur është bllokuar nga një kërkesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës’.
Sipas Kransiqit, Kurti u bllokua në kërkesën e vetme të LDK-së që ishte zotimi për Presidentin.
“LVV ka çuditë dynjanë, kur është bllokuar nga një kërkesë e LDK-së, e cila kërkonte vetëm një zotim për presidentin, pas një viti. Në vend se ta formonte qeverinë shpejt e të fillonte zbatimin e programit, LVV u kurthua e u harxhua në atë kërkesë. Tentoi t’i bënte presion LDK-së, me gjojasondazhe, me luftë psikologjike e propagandë”, ka thënë ai.
Krasniqi ka thënë se LDK-ja është një parti që nuk shantazhohet lehtë, aq më pak me propagandë.
“Nëse do të qeveriste me sukses, do t’i diktonte më lehtë kushtet për presidentin. Por jo kështu. Ata që e njohin LDK-në, e dinë se ajo edhe kur është e ngathtë dhe e hutuar, prapë është e pashantazhueshme. LDK është e brymosur me idenë e misionarizmit rugovist. Nuk është mposhtur me dhunë, aq më pak mund të mposhtet me propagandë. Në fakt, ashtu ajo vetëm kompaktësohet”, shtoi ai.