Krasniqi: Marrëveshja Kosovë-Serbi pa njohje të ndërsjellë mund të çojë në status-quo të re

21 dhjetor 2022 | 14:28

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë arritja e marrëveshjes me Serbinë do të duhej të rezultonte me njohjen e ndërsjellë.

Ai në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ka thënë se propozimi evropian i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për një marrëveshje pa njohje, nuk mund të jetë i pranueshëm sepse do të mund të krijonte një status-quo të re.

Krasniqi ka thënë se bllokadat aktuale në veriun e Kosovë janë vendosur para së gjithash për ta penguar procesin e bisedimeve Kosovë Serbi për një marrëveshje përfundimtare.

“Situata në pjesën veriore të Kosovës është jashtëzakonisht problematike, ka një përkeqësim të gjendjes sidomos pas vendosjes së barrikadave nga grupet kriminale, të cilat janë të kontrolluara dhe orkestruara drejtpërdrejtë nga qarqet më të larta në Serbi, duke përfshirë edhe vet presidentin (Aleksandar) Vuçiq. Ka një tensionim të situatës dhe nga të gjitha informacionet që marrim këto ditë, shihet se nuk ka një zgjidhje të lehtë dhe nuk duket se mund të ketë një përmirësim dhe një kthim në normalitet shumë shpejt, kjo është shumë shqetësuese”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se PDK-ja ka kërkuar që kryeministri Kurti të jetë serioz në qasjen e tij në raport me partnerët ndërkombëtarë dhe në pjesëmarrjen në dialog.

Duke folur për asociacionin e komunave me shumicë serbe, Krasniqi ka thënë se duhet të jetë pjesë e marrëveshjes të përgjithshme e cila rezulton me njohjen e ndërsjellë.

“Asociacioni edhe kur është diskutuar asnjëherë nuk është diskutuar që të ketë kompetenca ekzekutive, asnjëherë nuk është diskutuar dhe as kërkuar që të ketë çfarëdo lloj karakteri që del jashtë Kushtetutës së Kosovës. Asociacioni nëse themelohet dhe ai duhet të jetë pjesë e marrëveshjes së përgjithshme që rezulton me njohje të ndërsjellë, duhet të jetë një grumbullim i kompetencave ekzistuese brenda Kushtetutës së Kosovës, të cilat mund të modelohen për t’iu dhënë një siguri që e kërkojnë komuniteti serb në Kosovë”, ka thënë lideri i PDK-së, Memli Krasniqi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Real Madridit është seriozisht e interesuar për mbrojtësin…