Krasniqi: Marrëveshja për targat është fitore për Kosovën
Analisti politik Albert Krasniqi e ka komentuar marrëveshjen për targat në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka vlerësuar se kjo marrëveshje është fitore për Kosovën.
Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka shkruar se mbulimi i targave është avancim në raport me heqjen e tyre, duke shtuar se të dy shtetet trajtohen në mënyrë të barabartë.
Ai ka vlerësuar se prania e KFOR-it në pikat kufitare nuk ka pse të pengojë askënd, përderisa kjo forcë ruan kufijtë e Kosovës.
Postim i plotë i Krasniqit:
Marrëveshja për targat është fitore për Qeverinë e Kosovës.
– Targat ilegale KM kanë qenë në përdorim dhe nuk po kthehen tash. Problemet që janë shtresëzuar për kaq shumë kohë, nuk mund të zgjidhen brenda natës;
– Prania e KFOR-it në pikat kufitare nuk ka pse të na pengojë, përderisa nuk na pengon që KFOR-i të ruaj kufijtë tanë;
– Mbulimi i targave është avancim në raport me heqjen e tyre. Me këtë marrëveshje – nëse zbatohet – të dy shtetet trajtohen barabartë;
– Serbia shpërfaqi edhe një herë tendencat për destabilizim në rajon. Kosova nuk ra në provokimet e shumta të Serbisë.