Krasniqi: Mbajtja e konventës ishte vendim i duhur, ndikoi në rritjen e entuziazmit politik në PDK
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se ka pasur dyshime se a duhet të mbahet konventa e PDK-së në prag të zgjedhjeve lokale, kjo pasi ai besonte se në këtë kohë partia duhet të fokusohet në zgjedhje.
“Kemi pasur një debat të brendshëm se a duhet të mbahet konventa menjëherë, më vonë, apo të shtyhet deri pas zgjedhjeve. Unë kam qenë në grupin e atyre që kanë menduar se konventa duhet të mbahet në fund të marsit, në prill apo në maj dhe në një moment kur erdhëm kah fundi i majit kam pasur dilemat e mia, sepse kam besuar se fokusi duhet të jetë tek zgjedhjet lokale dhe nuk kam qenë prej mbështetësve që duhet ta mbajmë konventën në korrik. Kam qenë hezitues për ta mbajtur konventën kurdoherë pas qershorit, sepse kam besuar se duhet të fokusohemi në mbajtjen e zgjedhjeve lokale”, tha Krasniqi në Rubikon në Klan Kosova.
Megjithatë Krasniqi tha se mbajtja e konventës ishte vendim i duhur, pasi ka ndikuar në rritjen e entuziazmit politik brenda PDK-së.
“Duke qëndruar në grupe, në kuptimin me degë të ndryshme dhe jo të gjithë së bashku, mund të krijosh paragjykime të tipit a është atmosfera e duhur, mund të jesh edhe i gabuar, por jam i lumtur që kemi pasur një konventë festive në kuptimin e manifestimit, por mbi të gjitha me një entuziazëm politik për një ri fuqizim të PDK-së”.
“Nuk kam pasur dyshime për unitetin e brendshëm, sepse në PDK nuk kemi mungesë të unitetit, por ishte një moment që i energjizoi jo vetëm delegatët, por të gjitha degët deri në nivelin e nën degëve. Kishim një situatë kur hamendësimi se a duhet të bëjmë diçka më herët apo më vonë e krijoi një moment të pritjes dhe dikush mendonte se po mbahet, dikush se nuk po mbahet dhe kjo e ka cenuar mobilizimin dhe aktivitetin e degëve dhe tash ka qartësi, tash dihet që konventa u mbajt, kemi edhe hapa për krijimin e kryesisë së re, shpalljen e kandidaturave aty ku kanë mbet dhe krijimin e listave për asamblistë”, tha Krasniqi.