Krasniqi mbështet propozimin që Murat Jashari të jetë kryeministër, por jo në funksion tranzitor
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka përkrahur idenë e Vjosa Osmanit që vendi të ketë një qeveri teknike me kryeministër Murat Jasharin.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se çdo propozim që do t’i jepte mandatin e plotë qeverisës Murat Jasharit do ta mbështesnin pa kurrfarë rezerve.
“Mendojmë se është moment i duhur që propozimi për Murat Jasharin si kryeministër të Kosovës të jetë propozim për një apo më shumë mandate të plota, sepse kemi bindjen se ai do të jetë vërtet unifikues në këto momente jetike për fatin e shtetit tonë. Në të kundërtën, propozimet nuk mund të jenë të sinqerta dhe kanë si prapavijë instrumentalizimin e Murat Jasharit në funksion të thellimit të përçarjes”, ka shkruar Krasniqi.
Postimi i plotë i Krasniqit:
Në këtë fazë të zhvillimeve politike që rrjedhin nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Presidentit Thaçi lidhur me krijimin e qeverisë së re të Kosovës, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Zonja Vjosa Osmani doli me idenë një “qeveri të tranzicionit deri në zgjedhjet e reja, që do të udhëhiqej nga një figurë unifikuese mbi-partiake”.
Deputeti i LVV-së, Liburn Aliu deklaroi se e mbështetë idenë e zonjës Osmani nëse në krye të qeverisë vjen Murat Jashari si kryeministër. Përveç faktit që Murat Jashari është jurist i shkëlqyer, ai është përfaqësues dinjitoz i familjes emblematike të Jasharëve Legjendar. Në cilësinë e juristit, ai është një personalitet që posedon aftësitë profesionale që të përfaqësojë institucionet e shtetit të Kosovës në nivelin më të lartë. Prandaj, çdo propozim që do t’i jepte mandatin e plotë qeverisës Murat Jasharit ne do ta mbështesnim pa kurrfarë rezerve. Mirëpo, as në cilësinë e doktorit të shkencave juridike, as në cilësinë e përfaqësuesit të familjes legjendare Jashari të Prekazit, nuk është serioze t’i propozohet Murat Jasharit një funksion tranzitor unifikues.
Mendojmë se është moment i duhur që propozimi për Murat Jasharin si kryeministër të Kosovës të jetë propozim për një apo më shumë mandate të plota, sepse kemi bindjen se ai do të jetë vërtet unifikues në këto momente jetike për fatin e shtetit tonë. Në të kundërtën, propozimet nuk mund të jenë të sinqerta dhe kanë si prapavijë instrumentalizimin e Murat Jasharit në funksion të thellimit të përçarjes.