Krasniqi mbron udhëzimin administrativ për largimin e kryetarëve të veriut

13 shtator 2023 | 13:15

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka folur të mërkurën për disa tema, përfshirë organizimin e zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës, një kërkesë e kamotshme e ndërkombëtarëve.

Në fakt, Krasniqi ka dhënë disa detaje në lidhje me udhëzimin administrativ që është publikuar kohë më parë dhe i cili i hap rrugën shkarkimit të katër kryetarëve në veri të Kosovës.

Në konferencë, Krasniqi ka thënë se udhëzimi administrativ bazohet në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, duke shtuar se në lidhje me këtë temë ka pasur edhe takime me Quint-in.

“Neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale është baza ku është bazuar edhe udhëzimi administrativ. Në këtë udhëzim administrativ kanë punuar ekspertët më të mirë të MAPL-së. Kemi pasur edhe një mbështetje edhe me ekspertë edhe me koordinimin të vazhdueshëm me gjithë aktërët e rëndësishëm. Këtu kemi pasur edhe takime me përfaqësues të ambasadave të Quint-it”, ka thënë Krasniqi.

Më tutje, ai ka vlerësuar se udhëzimi administrativ është një instrument demokratik për nisjen e hapave ligjor për largimin e kryetarëve nga posti i tyre.

“Produkti që e kemi para vetës është instrumenti i vetëm demokratik inicimin e kërkesës të qytetarëve për largimin e kryetarëve nga zyrat, për shkak se ka qenë i vetëm institucion kryetari i komunës, i cili nuk është paraparë edhe forma se si mund të largohet, përveç zgjedhjes së drejtpërdrejtë dhe dhënies së dorëheqjes. Kështu që tash një kryetar i komunës me votën e njëjtë që zgjidhet, mund të largohet”, ka thënë ai.

Në këtë konferencë, Krasniqi është pyetur nëse ka rrezik që ky udhëzim të shpallet antikushtetues. Në këtë kontekst, ai ka thënë se nuk dëshiron të flasë për rreziqet.

“Unë nuk mund të flas për rreziqet, nuk dua të flas për rreziqet. Unë po flas për një proces demokratik. Ne si ministri përgjegjëse për administrimin e pushtetit lokal kemi marrë një detyrë. Detyra ka qenë që të prodhohet një udhëzim administrativ, i cili e proceson kërkesën e qytetarëve për shkak se është e drejtë e qytetarëve edhe inicimi i peticionit për largimin e kryetarit të komunës nga zyra”, është shprehur Krasniqi.

Më tutje, ai ka thënë se udhëzimi administrativ është përmbushje e obligimeve që rrjedhin nga marrëveshja e Bratislavës, e cila është dakorduar nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe Miroslav Lajçakut, emisar special i BE-së për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Si qeveri e Republikës së Kosovës kemi pasur një angazhim të theksuar në mënyrë që ky udhëzim administrativ të kryhet në afate shumë të shpejta, si përgjigje e marrëveshjes së Bratislavës. Ne prej fillimit kemi thënë se jemi të interesuar për zgjedhje të parakohshme, se kryetarët e zgjedhur nuk janë kryetarë me K të madhe, mirëpo prapë se prapë këta janë kryetarë legjitimë për shkak se i ka prodhuar një proces zgjedhor”, ka thënë Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në prag të…