Krasniqi me bashkëshorte në protestë: Shteti duhet të garantojë drejtësi
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi së bashku me bashkëshorten e tij, Melizën, kanë marrë pjesë sot në protestën qytetare për rastin makabër të dhunimit të vajzës 11-vjeçare në Prishtinë.
Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se duhet të veprohet sot, që të dërgohet mesazh i qartë tek të gjithë dhunuesit, se shteti, por edhe shoqëria, do të mbrojë vajzat dhe gratë me forcën e palëkundur të ligjit.
“Edukim. Parandalim. Siguri. Drejtësi! Këto ditë, të gjithë jemi të shokuar nga rasti makabër i dhunimit të vajzës 11 vjeçare në Prishtinë. Dhe, për më keq, ky nuk është një rast i izoluar i dhunës ndaj vajzave dhe grave në Kosovë. Prandaj, shteti, urgjentisht dhe me vendosmëri, duhet që të reagoj në të gjitha instancat për të rritur ndërgjegjësimin, për të përmirësuar edukimin, krijuar sigurinë dhe garantuar drejtësinë për vajzat dhe gratë. Të veprohet sot, që të dërgohet mesazh i qartë tek të gjithë dhunuesit, se shteti, por edhe shoqëria, do të mbrojë vajzat dhe gratë me forcën e palëkundur të ligjit”, ka shkruar Krasniqi.