Krasniqi: Me bekimin e kryeministrit Kurti, ZRrE-ja shtrenjtojë rrymën
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE).
Ai ka thënë se ky vendim është marrë me bekimin e plotë të qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.
“Që nga fillimi i mandatit të saj, Qeveria Kurti ka dështuar të ndërmarrë çfarëdo hapi për të zhvilluar ekonominë e vendit, të rënduar shumë gjatë pandemisë, duke qenë e paaftë të adresojë kërkesat dhe nevojat e bizneseve, shumë prej të cilave i solli në prag të falimentimit. Për më shumë, qeveria ka dështuar të ndërmarrë masa, të parandalojë përkeqësimin dhe të lehtësojë barrën sociale për familjet kosovare, përballë rritjes së vazhdueshme të çmimeve në çdo produkt esencial”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.
Më tutje, ai ka thënë se PDK-ja do ta kundërshtojë me çdo mjet ligjor këtë vendim e ZRrE-së.
Postimi i plotë i Krasniqit:
Në koordinim direkt dhe me bekimin e plotë të qeverisë dhe Kryeministrit Albin Kurti, sot ZRRE zyrtarizoi vendimin e paralajmëruar për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke e vulosur rëndimin e mëtejmë të jetës dhe mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.
Që nga fillimi i mandatit të saj, Qeveria Kurti ka dështuar të ndërmarrë çfarëdo hapi për të zhvilluar ekonominë e vendit, të rënduar shumë gjatë pandemisë, duke qenë e paaftë të adresojë kërkesat dhe nevojat e bizneseve, shumë prej të cilave i solli në prag të falimentimit. Për më shumë, qeveria ka dështuar të ndërmarrë masa, të parandalojë përkeqësimin dhe të lehtësojë barrën sociale për familjet kosovare, përballë rritjes së vazhdueshme të çmimeve në çdo produkt esencial.
Pa kurrfarë strategjie ekonomike, pa hapje të vendeve të punës e pa vizion për zhvillimin e shtetit, si produkt i paaftësisë së qeverisë, vetëm në dy muajt e fundit, mbi 100 mijë të rinj e të reja kanë kërkuar shpëtim larg atdheut të tyre, duke trokitur në dyert e ambasadave të huaja. Kjo është pasqyra e vërtetë e Qeverisë Kurti, e cila sot ua shtoi edhe një barrë të padrejtë të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Ne e kemi paralajmëruar me kohë krizën energjetike dhe e kemi ftuar qeverinë që të ndërmarrë masat e duhura, por qeveria kishte tjetër agjendë. Kemi thirrur debat në Kuvendin e Kosovës për t’i sqaruar këto pozicione të dyshimta të saj, por aty u pa qartë se s’kishte kurrfarë dyshimi, pasi që deputetët e Vetëvendosjes, kundër vullnetit të qytetarëve, njëzëri u deklaruan në favor të shtrenjtimit të energjisë elektrike.
Qeveria kishte marrë drejtim qysh herët, cakun e të cilit e pamë sot me vendimin skandaloz të ZRRE-së, e peshën e të cilit, në fund të këtij muaji do ta paguajnë familjet kosovare me pagat e tyre, të cilat pas rritjes enorme të çmimeve, sot s’mjaftojnë as për të mbuluar nevojat dhe shërbimet më elementare.
Prandaj, Partia Demokratike e Kosovës, siç e ka kundërshtuar gjatë gjithë muajve të kaluar, do ta kundërshtojë me çdo mjet ligjor, në çdo instancë gjyqësore, njëjtë si në Kuvendin e Kosovës, dhe nuk do të ndalet së kërkuari shkarkimin e anëtarëve të Bordit të ZRrE-së që kanë vulosur këtë dënim ndaj qytetarëve të Kosovës, si dhe anulimin e vendimit skandaloz të ZRrE-së, i cili si i tillë, i jep fund edhe asaj pak sigurie e mirëqenie që kanë mundur ta sigurojnë qytetarët me djersën e tyre.
Në të njëjtën kohë, PDK po diskuton mundësinë e organizimit të një peticioni qytetar, në mënyrë që tandemi Qeveri-ZRrE ta kuptojë se rritja e çmimeve të energjisë nuk është një betejë politike opozitare përballë një qeverie të paaftë e të papërgjegjshme, por është një kërcënim ndaj qytetarëve të Kosovës që janë në betejë për mbijetesë, e të cilët nuk munden dhe nuk duhet ta bartin mbi supe koston e paaftësisë së qeverisë Kurti.