Krasniqi me familjen e Thaçit nderojnë të rënët në masakrën e Studimes
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka marrë pjesë në akademinë përkujtimore kushtuar të rënëve në masakrën e Studimes.
Krasniqi në këtë akademi ka qenë i shoqëruar edhe nga bashkëshortja dhe djali i Hashim Thaçit. Në këtë masakër janë vrarë nga forcat paramilitare serbe edhe familjarë të bashkëshortes së Thaçit.
Me këtë rast, Krasniqi ka thënë se liria që gëzojmë sot ka në themele gjakun e mijëra martirëve të vendit tonë.
“Për familjet e viktimave, ne si qytetarë të Kosovës, për shtetin tonë – një gjë është e sigurt: këto krime nuk do të vjetrohen asnjëherë dhe ne nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi! Liria që gëzojmë sot ka në themele gjakun e mijëra martirëve të vendit tonë. Lavdi e përjetshme!”, ka shkruar Krasniqi.
Postimi i plotë:
24 vjet më parë, në Studime të Vushtrrisë nga policia dhe ushtria serbe u vranë dhe u masakruan 116 civilë të pafajshëm dhe të paarmatosur, burra, gra, djem dhe vajza.
Paramilitarët serbë nuk kursyen as fëmijët dhe të moshuarit – në planin e tyre për realizimin e gjenocidit në Kosovë.
Masakra e Studimes, krahas mbi 400 masakrave të tjera të realizuara në të gjithë Kosovën, janë dëshmitë më të fuqishme mbi atë se kush ishte agresori e kush viktima gjatë luftës së vitit 1998/99.
Përkundër kësaj, edhe sot, 24 vite më pas, asnjë nga kriminelët serbë, ekzekutor apo urdhërdhënës, nuk ka dalë para drejtësisë vendore apo ndërkombëtare për të dhënë përgjegjësi për krimet e kryera.
Për familjet e viktimave, ne si qytetarë të Kosovës, për shtetin tonë – një gjë është e sigurt: këto krime nuk do të vjetrohen asnjëherë dhe ne nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi! Liria që gëzojmë sot ka në themele gjakun e mijëra martirëve të vendit tonë. Lavdi e përjetshme!