Krasniqi: Me propagandën për bashkim kombëtar Kurti e dëmtoi jo vetëm idenë e bashkimit po edhe Kosovën atlantike
Profesori i Universitetit të Prishtinës, Milazim Krasniqi, ka reaguar duke akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin se ky i fundit i ka shkaktuar dëme Kosovës me idenë e bashkimit kombëtar me Shqipërinë.
Sipas profesorit, kryeministri Kurti e ka dëmtuar Kosovën atlantike të krijuar nga shtetet Perëndimore, po ashtu dhe idenë e bashkimit kombëtar. Më tej, Krasniqi ka thënë se kjo ide ka rritur rrezikun e federalizmit të shtetit të Kosovës.
“Ka rrezik se mund të bëhet federalizimi i Kosovës, gjë që do ta bënte vend të pajetueshëm Kosovën tonë të shtrenjtë. P.S. Uroj që Kurti nesër të mos lëshojë pe lidhur me federalizimin”, ka shkruar profesori Krasniqi.
“Me propagandën për bashkim kombëtar Kurti e dëmtoi jo vetëm idenë e bashkimit po edhe Kosovën atlantike”, ka shtuar ai.
Më poshtë mund ta lexoni shkrimin e plotë të ligjëruesit në Universitetin e Prishtinës, Milazim Krasniqi.
Me propagandën për bashkim kombëtar Kurti e dëmtoi jo vetëm idenë e bashkimit po edhe Kosovën atlantike
Afrimi i panatyrshëm i Ramës me Vuçiqin, ka qenë operacion ndërkombëtar, për ta mposhtur propagandën agresive të Kurtit për bashkim kombëtar. Nga sponsorët e shtetit të Kosovës, SHBA e NATO, afrimi antipatik i Ramës me Vuçiqin është shikuar më pak problematik, se sa ideja e Kurtit për ta zhbërë Kosovën si shtet, gjoja në emër të bashkimit me Shqipërinë. A mirë a keq? Keq në të dyja rastet. Keq afrimi i Ramës me Vuçiqin, sepse ashtu është dëmtuar Kosova më shumë se sa vetë Kurti. Por keq edhe nga ideja e mbrapshtë e Kurtit, që ishte haptas në kundërshtim me projektin atlantik për Kosovën e pavarur.
Pasojat: 1. Tash për tash nga propaganda primitive e LVV është shkatërruar ideja e bashkimit kombëtar. 2. Ndëshkimi ndaj Kurtit e ka suspenduar planin për njohjen e Kosovës, në fund të procesit të dialogut. Pra, as bashkim kombëtar, as njohje të shtetit të Kosovës. 3. Rreziku është real që asociacioni serb të jetë në qendër e t’i imponohet Kurtit, për ta poshtëruar përfundimisht. Dhe për t’ia ngulitur se nuk mund të sfidohet projekti atlantik, në të cilin Kosova është baza kryesore e NATO-s në Ballkanin Perëndimor.
E populli? Populli do të vazhdojë të jetë i manipuluar. Populli do të kërkojë atë që nuk mund ta realizojë dhe do ta refuzojë atë që është në interesin e tij.
Gjatë gjithë kësaj kohe njerëzit shqiptarë po ikin nga Kosova. Ka rrezik të mbetemi këtu vetëm ne të moshuarit dhe zyrtarët LVV-qeveritarë. Ata zyrtarë që dikur si papagaj propagandonin për bashkim kombëtar, duke dëmtuar rëndë jo vetëm optimizmin dhe besimin e njerëzve shqiptarë në të ardhmen e bukur të Kosovës atlantike, po edhe vetë themelet e shtetit kosovar.
Dëmi tashmë është bërë nga ajo propagandë primitive dhe agresive. Ndërsa afria banale e Ramës me Vuçiqin ka ngelë vetëm si dëm kolateral i dëmit katastrofal të aventurizmit propagandistik e politik të Kurtit. Thënë thjesht, u kompromentua ideja e bashkimit kombëtar dhe u rrezikua pavarësia e shtetit kosovar. Çka ka rrezik tjetër? Ka rrezik se mund të bëhet federalizimi i Kosovës, gjë që do ta bënte vend të pajetueshëm Kosovën tonë të shtrenjtë. P.S. Uroj që Kurti nesër të mos lëshojë pe lidhur me federalizimin. (26 shkurt 2023)