Krasniqi: Më shumë punë janë kryer në Ferizaj për gjysmë mandati, sesa nga qeveria në një mandat të plotë
“Më shumë punë janë kryer në Ferizaj në këtë gjysmë mandati, sesa në nivel të Kosovës nga Qeveria aktuale në një mandat të plotë. Për Agim Aliun, vullneti për punë në shërbim të qytetarëve dhe dëshira për transformimin e qytetit, po vazhdon si në ditën e parë kur e ka marrë mandatin”, ka shkruar në “Facebook” kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas vizitës që i bëri sot Ferizajt.
Ai ka thënë se është frymëzuese secila vizitë në Ferizaj, sepse çdo herë sheh një projekt të ri që po relizohet nga kjo qeverisje e përgjegjshme komunale.
“Nëse vërtetë ka një model qeverisës i cili sot po i mungon tej mase Kosovës në nivelin qendror, ky është modeli i Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj – që i mban premtimet, kryen e punë dhe që përmirëson e lehtëson jetën e qytetarëve. Punimet që po bëhen për rivitalizimin dhe gjelbërimin e parkut “Kodra e Sherretëve”, të cilin e vizituam sot, një hapësirë mbi 20 hektarë në vlerë prej 1.5 milion euro, është pjesë e vizionit të Kryetarit Aliu për Ferizajn e Gjelbër”.
“Është për keqardhje, i turpshëm dhe i papranueshëm diskriminimi të cilin Qeveria i ka bërë këtij qyteti këtë vit – duke mos ndarë asnjë cent për investime të reja kapitale. Me PDK-në në qeverisje, modelin qeverisës të Ferizajt do ta zbatojmë edhe në nivelin qendror, i cili do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim, ashtu siç po u shërben të gjithëve Kryetari Agim Aliu”, ka shkruar Krasniqi.