Krasniqi: Medalja e fituar nga Shabani ishte shpërblim për punën shumëvjeçare
Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi dhe nënpresidenti Milaim Kelmendi kanë pritur ekspeditën e karatesë pas suksesit në Kampionatin Evropian të Karatesë, të mbajtur javën e kaluar në Gaziantep të Turqisë.
Karateisti Elhami Shabani fitoi medaljen e bronztë në kategorinë -75 kilogramë. Ai shoqërohej bashkë me trajnerin Ylber Syla dhe drejtuesit e federatës, kryetarin Avni Gashi dhe sekretarin e përgjithshëm, Nazmi Gashi.
Presidenti Krasniqi ka përgëzuar Shabanin për suksesin që ia solli karatesë dhe Kosovës, duke thënë se: “Medalja e fituar ishte shpërblim i punës dhe sakrificës shumëvjeçare në karrierën e tij”.
Karateisti Shabani, duke falënderuar presidentin Krasniqi për pritjen dhe përkrahjen, foli për sfidat dhe rrugëtimin e vështirë që kishte nga lufta e parë deri në të fundit, e që në fund iu shpërblye me medaljen e parë të tillë për të. Edhe trajneri Syla dhe kryetari Gashi vlerësuan lartë arritjen e Shabanit, por edhe paraqitjen e garuesve tjerë, të cilët me pak fat kanë mundur të jenë edhe në podium.