Krasniqi: Mitrovicasit janë me fat që kanë zgjedhur kryetar Bedri Hamzën
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka vizituar kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza, të cilit i ka uruar punë të mbarë në qeverisje.
Krasniqi ka thënë se qytetarët e Mitrovicës janë me fat që e kanë Hamzën kryetar të tyre.
“Kënaqësi e veçantë të takoj mikun tim, Bedri Hamza, për t’i uruar punë të mbarë në qeverisjen katërvjeçare si kryetar i Komunës së Mitrovicës. Mitrovicasit janë me fat që kanë zgjedhur të udhëhiqen nga një njeri i ndershëm, intelektual, profesionist e punëtor si Bedri Hamza, i cili me ekipin e tij, që nga dita e marrjes së mandatit ka filluar punën për realizimin e programit të Partisë Demokratike të Kosovës për zhvillimin e Mitrovicës dhe për krijimin e mundësive për një jetë më cilësore në këtë komunë”.
“Kryetarin Hamza e përgëzova edhe për vendimin e tij për t’iu dhënë hapësirë të rinjve në pozita udhëheqëse në Komunën e Mitrovicës. Një komunë që u shërben të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim dhe një qeverisje ku askush nuk është mbi ligjin, janë parimet e një politikani shembullor siç është Bedri Hamza”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.