Krasniqi mori pjesë në punimet e Kongresit të Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka marrë pjesë në punimet e Kongresit të Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës (ALDE), ku PDK-ja është anëtare me të drejta të plota.
Ai ka thënë se është i lumtur se në krye të ALDE-s është zgjedhur mikja e Kosovës, eurodeputetja gjermane, Scenja Hahn.
“Këtë fundjavë, në Lisbonë të Portugalisë, zhvilloi punimet Kongresi i Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës, ku Partia Demokratike e Kosovës është anëtare me të drejta të plota. Me një pjesëmarrje të madhe të partive anëtare nga e gjithë Evropa, zgjodhëm edhe kryetaren e re dhe gjashtë nënkryetarë të ALDE-s, për mandatin e ardhshëm. Jam shumë i lumtur që në këtë periudhë ALDE-n do ta drejtoj mikja ime, e PDK-së dhe e Kosovës, eurodeputetja gjermane Svenja Hahn. Si rëndom, edhe ky Kongres, ishte një mundësi e mirë për të takuar liderë dhe përfaqësues të shumtë politikë nga shtete të BE-së dhe më gjerë, me të cilët diskutuam për të thelluar bashkëpunimin tonë. Së bashku me partitë anëtare të ALDE-s në tërë kontinentin evropian, ne po e përkthejmë parimin e lirisë në veprime konkrete në politikë, ekonomi dhe në të gjitha fushat e tjera të shoqërive tona – në funksion të ndërtimit të një të ardhmeje më të mirë për të gjithë”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.