Krasniqi: Mungesa e Triumf Rizës, plagë që nuk shërohet kurrë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka përkujtuar policin Triumf Riza në 17-vjetorin e vrasjes së tij.
Krasniqi ka thënë se mungesa e Triumfit është një plagë që nuk shërohet kurrë.
“Kanë kaluar 17 vjet, por dhembja ndjehet po aq e freskët, si në ditën kur e humbëm atë. Triumf Riza ishte më shumë se një mik; ai ishte një forcë e natyrës me vullnet të hekurt, i vendosur për të bërë gjëra të mëdha në jetë. Edhe në ditët tona të shkollës së mesme, prania dhe personaliteti pozitiv i tij, ishin diçka që nuk mund t’i shpërfillje. Triumfi i barti me krenari këto cilësi në karrierën e tij me Policinë e Kosovës, ku u bë një nga oficerët më të përkushtuar dhe më të aftë, duke luftuar pa u lodhur kundër krimit të organizuar”.
“Por, më 30 gusht 2007, një ditë e paharruar përgjithmonë në kujtimet tona, Triumfi na u vodh në një akt frikacak dhe tinëzar, që shkatërroi jetë të shumta. Mungesa e tij është një plagë që nuk shërohet kurrë, veçanërisht për familjen e tij, e cila vazhdon të mbajë peshën e kësaj humbjeje. Drejtësia, fatkeqësisht, ende nuk ka sjellë përmbylljen që ne të gjithë e kërkojmë me insistim. Triumf, trashëgimia jote jeton përherë. Nuk do të të harrojmë kurrë, shok i dashur!”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.