Krasniqi: Mungon vullneti i qeverisë për t’i përkrahur bizneset dhe punëtorët nga Pakoja Emergjente
Qeveria e kaluar e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti kishte miratuar Pakon Emergjente Fiskale për të mbështetur bizneset dhe individët të cilët kanë hasur vështirësi gjatë pandemisë COVID-19. Ku, deri më tani shumë biznese dhe punëtorë ende nuk i kanë marr pagesat e premtuar nga kjo pako.
Lidhur me këtë, përfaqësues të bizneseve thonë se mospagesa e deritanishme e këtyre mjeteve është mungesë e vullnetit të qeverisë aktuale për t’i përkrahur bizneset dhe punëtorët.
Kryetari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi për Telegrafin ka thënë se, gjendja e shkaktuar nga pandemia COVID-19 nuk po merret seriozisht nga institutcionet.
“Faktikisht Kuvendi i ka dhënë leje Qeverisë për tejkalim të kompetencave, për aspekt të buxhetit, kështu që në aspekt ligjor nuk ka hapësirë përpos që ka në aspektin faktik, do të kisha thënë një ngadalësim edhe mosinteresim i qeverisë për të përkrahur bizneset, apo mbështetur punëtorët që janë duke i pritur ato 170 eurot që janë jashtëzakonisht të vogla. Më shumë ka mungesë të vullnetit të Qeverisë dhe Kuvendit që ta marrin me seriozitet këtë gjendje të rëndë të vendit dhe përkrahje të biznesit”, tha Krasniqi.
Ai shton se, deri më tani rreth 20 mijë punëtorë kanë mbetur pa i marr mjetet nga Pakoja Emergjente Fiskale.
“Ne si Odë e Afarizmit jemi shumë të shqetësuar për vonesat e zbatimit të pakos së parë, e cila jemi në fund të muajit qershor, ku ende nuk janë ekzekutuar pagat për muajin mars dhe prill. Ende nuk është ekzekutuar pjesa për një muaj, ku kanë mbetur rreth 20 mijë punëtorë t’i marrin pagat ku pjesa e dytë ende nuk ka filluar të zbatohet, ku qiraja kanë filluar të paguhen por me probleme. Këto pengesa janë ka ndikojnë shumë në mbarëvajtjen e biznesit por edhe krijimin e mundësive që bizneset t’i mbajnë këta punëtorë. Ne jemi në vazhdimësi duke i kërkuar nga qeveria, por përkundër kësaj deri më tani nuk kemi pasur veprim konkret nga qeveria”, shton ai.
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami javën e kaluar kishte njoftuar se brenda javës të përfundoj procesi i verifikimit të kërkesave për kompensimin e masave nga pakoja.
Kujtojmë se, me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transferëve ishte miratuar Pakoja Emergjente Fiskale në vlerë prej 179.65 milionë euro, për t’i ndihmuar bizneset dhe individët që ta tejkalojnë krizën ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19. /Telegrafi/