Krasniqi: Ndaj Prishtinës e duam fitoren e titullit
Trepça ’89 është në kërkim të fitores së madhe që e inkuadron seriozisht në garën për titullin e kampiones në elitë. Kështu ka bërë me dije të martën për gazetë, Fesim Krasniqi. “Ndeshjen e radhës e kemi ndaj një kundërshtari me kualitet të njëjtë. Besoj se do t’ia dalim dhe t’i marrim pikët e plota. Ne jemi të uritur për një fitore të madhe që na inkuadron seriozisht në garë për titull të kampiones”, ka thënë Krasniqi.
Festim Krasniqi është i lumtur që Trepça ’89 e ka nisur mirë sezonin pranveror në Vala Superligën e Kosovës në futboll, duke arkëtuar gjashtë pikë nga përballjet me Vëllanzimin nga Gjakova dhe Besën e Pejës. “Mund të themi se kemi bërë një fillim të mbarë në sezonin pranveror, sepse po arrijmë t’i arkëtojmë pikët maksimale në ndeshjet kampionale, kurse morali dhe atmosfera te ne nuk kanë munguar që nga fillimi i përgatitjeve, ku kemi punuar shumë duke i shfrytëzuar në maksimum kushtet që na janë ofruar në Antalia të Turqisë”, ka thënë Krasniqi për “Epokën e re”.
Më pas mesfushori ofensiv bëri me dije se skuadra nga “Riza Lushta” është në kërkim të fitores se madhe që e inkuadron seriozisht në garën për titull kurse, sipas tij, kjo fitore do të jetë në ndeshjen e radhës ndaj Prishtinës. “Ndeshjen e radhës e kemi ndaj një kundërshtari me kualitet të njëjtë. Besoj se do t’ia dalim dhe t’i marrim pikët e plota. Ne jemi të uritur për një fitore të madhe që na inkuadron seriozisht në garë për titull të kampiones”, ka deklaruar ai.
Më pas ish-futbollisti i shumë skuadrave në Kosovë ka treguar se gjatë javës do të analizohen pikat e forta dhe të dobëta të Prishtinës. “Pikat e forta të Prishtinës nuk i di konkretisht, sepse ende nuk i kemi analizuar. Gjatë javës do të shohim ku i kanë pikat e forta dhe të dobëta në mënyrë që në ndeshje ta kemi më të lehtë”, ka shtuar Krasniqi. “Pika e fortë te ne është grupi dhe puna që bëjmë si kolektiv. Falë Zotit nuk kemi lëndime që do të na paraqisnin pengesë për t’i arritur qëllimet tona, kurse mungesa e vetme në këtë ndeshje do të jetë ajo e Argjend Mustafës për shkak të kartonëve”, ka përfunduar Krasniqi, raporton “Epoka e re”.
Kampionia aktuale e Kosovës, Trepça ’89, renditet në pozitën e katërt me 33 pikë, tri pikë më pak se Drita e Gjilanit që e mban pozitën e parë.
(Veton ZYMBERI)