Krasniqi: Ndaj Zvicrës shpresojmë në pikët maksimale
Kosova të shtunën përballet me Zvicrën në kuadër të Grupit I për kualifikimet në Kampionatin Evropian “Euro 2024”. Futbollisti Ilir Krasniqi është shprehur i kënaqur që ka qenë titullar në ndeshjen ndaj Izraelit. Ai e ka vlerësuar pozitive paraqitjen e Kosovës në këtë ndeshje që është zhvilluar në një terren të rënduar për lojë për shkak të reshjeve të shumta të shiut.
Lidhur me ndeshjen ndaj Zvicrës, Krasniqi e ka vlerësuar lart kundërshtarin, por ka paralajmëruar se me përkrahjen e bashkatdhetarëve synohet fitorja.
“Stadiumi pritet të jetë pothuajse i mbushur me përkrahës shqiptarë. Na pret një duel shumë i vështirë, pasi dihet niveli të cilin e ka Zvicra, por ne jemi shumë të motivuar, pasi e dimë se në stadium do ta kemi përkrahjen e madhe dhe shpresojmë në pikët maksimale. Gjasat? Matematikisht jemi ende në lojë, por dihet se do të jetë e vështirë. Ne do ta japim maksimumin, pastaj të shohim pas përfundimit të ndeshjes”, ka thënë Krasniqi.