Krasniqi: Nderojmë me respektin e përjetshëm luftën e drejtë të UÇK-së

12 qershor 2022 | 12:41

Sot, Kosova shënon Ditën e Çlirimit.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se 23 vjet më parë, iu dha fund përgjithmonë robërisë e vuajtjeve shekullore të popullit tonë.

“23 vjet më parë, për Kosovën nisi një kohë e re, e lirisë, që i hapi rrugë ndërtimit e zhvillimit të vendit. Kështu, rindërtuam shtëpitë e djegura, shkollat e reja, rrugët e autostradat, por edhe administratën, policinë e ushtrinë”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka theksuar se: “Jetësuam bashkë ëndrrën e shumë brezave për shtet e pavarësi. Për Kosovën e lirë e me mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët e saj. Në këtë rrugëtim, u jemi falënderues përjetësisht miqve që na dolën krah, NATO-s e SHBA-ve dhe shteteve të tjera demokratike”.

Krasniqi ka thënë se sot përkulemi para sakrificës së shumë brezave të dëshmorëve, martirëve, të burgosurve, veprimtarëve e intelektualëve shqiptarë, që u angazhuan ditë e natë për këtë ditë.

“Nderojmë me respektin e përjetshëm luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, heronjve tanë, që Kosovën e kishin më të shtrenjtën. Sot, këtë ditë të bekuar, ua urojmë edhe themeluesve të UÇK-së, Hashim Thaçit e Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit dhe çlirimtarëve të tjerë, të cilët padrejtësisht sot nuk janë pranë nesh”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka theksuar se këto sakrifica shekullore, që po vazhdojnë edhe sot, na rikujtojnë vazhdimisht çmimin e lartë të lirisë dhe obligimin që kemi për ta çmuar e për ta ruajtur atë.

“Urime Dita e Çlirimit, Kosovë!”, ka shkruar Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në 24 orët e…