Krasniqi në 25 vjetorin e partisë: Kur ndalet PDK, ndalet Kosova
Partia Demokratike e Kosovës ka shënuar sot 25 vjetorin e themelimit të saj.
Në shënimin e këtij përvjetori u kujtuan dy ish-udhëheqësit e saj, Hashim Thaci e Kadri Veseli, të cilët po gjykohen në Hagë.
Në një organizim që u mbajt sonte, është shfaqur një klip që shënon historinë e partisë. Pjesa kryesore ishte me figurat e Thaçit e Veselit.
Kryetari aktual i PDK-së, Memli Krasniqi tha se PDK është partia e lirisë, pavarësisë dhe sukseseve të Kosovës, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ai përmendi edhe dy ish-drejtuesit e PDK-së, Hashim Thaçi e Kadri Veseli, për të cilët tha se po e bëjnë edhe një skarificë të fundit për ëndrrën në të cilën besuan.
Krasniqi u shpreh se ndjehet shumë krenar për punën e PDK-së dhe trashëgimin e saj politike.
“Kur popullit tonë i cenohej identiteti dhe vetë ekzistenca, të rinjtë trima si Hashim Thaçi, Kadri Veseli e shumë bashkëveprimtarë dhe bashkëveprimtare të tyre, shumë prej të cilëve i kemi edhe sonte prezent këtu, u ngritën në këmbë dhe formuan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, organizimin më të suksesshëm politiko-ushtarak në historinë tonë, si ADN-ja e partisë tonë. Këta trima vizionarë nuk e bënë luftën vetëm për trojet tona, sepse ajo ishte shumë më shumë se aq, ata bënë një luftë që ishte për të drejtën për të ekzistuar si popull i lirë. Kur lufta u fitua dhe armët heshtën, po ata udhëheqës e dinin se qëllimi ynë nuk ishte arritur ende. Dhe kështu, më 10 tetor të vitit 1999, shumë prej jush u organizuat politikisht për të formuar Partinë Demokratike të Kosovës, duke e ditur se ardhmja e Kosovës kishte nevojë për lidership dhe jo çfarëdo lidershipi, por lidership të fortë, të guximshëm dhe vizionar. Siç e dimë të gjithë, pjesa tjetër është histori: Që nga ajo ditë, PDK-ja udhëhoqi detyrën për të ndërtuar një Kosovë të re. Nën udhëheqjen tonë, ne ndërtuam shtetin e Kosovës nga brenda dhe i dhamë asaj një vend në botë.”, ka thënë Krasniqi me këtë rast.
Krasniqi tha se kur ndalet PDK-ja, ndalet Kosova, sepse sipas tij, PDK vuri Kosovën në hartën e botës, duke vendosur themelet e një shtetit demokratik dhe perëndimor.
Ai tha se PDK ndërtoi rrugë, autostrada, shkolla e spitale, rriti pagat dhe krijoi vende të punës.
“Sa herë që Kosova është në dhembje, e dimë se ky është një kushtrim për Partinë Demokratike të Kosovës, një thirrje e painjorueshme për bashkim, veprim e mobilizim. Sepse historia e Partisë Demokratike të Kosovës nuk ka të bëjë vetëm me atë që kemi bërë dje, por me atë që do të bëjmë nesër”, shtoi ai.