Krasniqi në Bruksel takon drejtorin e CEFTA-s, i kërkon heqjen e emërtimit “UNMIK-Kosovo”
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, po zhvillon një vizitë zyrtare në Bruksel, ku sot ka takuar drejtorin e CEFTA-s, Emir Djikiç, me të cilin ka biseduar për ndikimin e pandemisë në fushën e tregtisë, barrierat dhe obligimet që kanë shtetet nënshkruese të CEFTA-s.
Ministri Krasniqi ka shprehur qëndrimin e tij dhe të qeverisë sa i përket zbatimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, më ç’rast ka potencuar faktin se shumë prej tyre nuk po zbatohen nga shteti fqinj, Serbia.
Gjithashtu, vlen të theksohet, se ministri Krasniqi, në këtë takim ka kërkuar që emërtimi “UNMIK-Kosovo” të hiqet dhe të jetë vetëm Kosova, po ashtu, të zbatohet marrëveshja për shenjën e konfirmitetit dhe të njihen kualifikimet profesionale. Ministri i MTI-së, Vesel Krasniqi, veç tjerash në takimin me drejtorin e CEFTS-s, ka kërkuar që t’i bëhet presion Beogradit që bizneset dhe prodhimet e Kosovës të mos kenë pengesa kur kalojnë transit nëpër Serbi.