Krasniqi në ‘Kafen e mëngjesit’ dëgjoi sfidat e bizneseve

11 dhjetor 2019 | 16:23

Afaristët e Komunës së Suharekës u pajtuan që bizneset duhet të kenë më shumë unitet në kërkesat e tyre dhe se duhet të krijohet një strategji e veprimit në mënyrë që kërkesat të jenë më efektive. Kështu thuhet në njoftimin e dërguar nga Oda e Afarizmit të Kosovës.

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka vazhduar me aktivitetin “Kafja e Mëngjesit”, në qytetin e Suharekës, ku pronarë të shumë bizneseve janë mbledhur dhe kanë diskutuar për problemet me të cilat ballafaqohen gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre në Kosovë.

Kryetari i Bordit të OEK-ut, Skënder Krasniqi, hapi fjalimin duke potencuar aktivitetet të cilat po i bënë Oda në mënyrë të vazhdueshme për përmirësimin e kushteve të të bërit biznes në Kosovë. Ai ka përmendur një mori ligjesh që ekzistojnë momentalisht në Kosovë, të cilat i pengojnë bizneset drejtpërdrejt në punën e tyre e që rrjedhimisht duhet të ndryshohen. Disa prej këtyre ligjeve janë: Ligji për Miniera dhe Minerale, Ligji i Punës, Ligji për Pushimin e Lehonisë, Ligji për TVSH, dhe krijimin e Ligjit për Tregti të Brendshme.

Ndërkaq, kryetari i Qendrës për Biznes në Suharekë, Gani Sallauka ka deklaruar se Suhareka përbën zonën më të mirë industriale në Kosovë dhe ka 2,500 biznese aktive. Ai përkrahu propozimet e OAK-ut që subvencionet dhe grantet të shkojnë në vendin e duhur pra në prodhim. Gjithashtu, ai tha se goditjen më të madhe që kanë marrë bizneset nga shteti është rritja e pagave në sektorin publik me ç’rast shteti u është bërë konkurrent i drejtpërdrejt bizneseve private.

E drejtori i Arsimit në Suharekë, Remzi Bytyqi, propozoi që të aplikohet mësimi dual për nxënësit si kombinim mes teorisë në shkolla dhe praktikës në biznese në mënyrë që nxënësit të dalin sa më të përgatitur për ta ushtruar profesionin e tyre.

Beqir Seferi nga “I. Seferi”, ka deklaruar se duhet të stimulohet sa më shumë prodhimi kualitativ dhe të mos lejohen ndërtimtarët të bëjnë ndërtime me kualitet të dobët. Për më shumë ai kërkoi që të gjitha bizneset të flasin njëzëri dhe t’i adresojnë problemet e tyre te institucionet përkatëse.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Radio Televizioni i Kosovës (RTK) edhe këtë javë, në emisionin…