Krasniqi në Mitrovicë: Për 6 muaj, Hamza ka nisur më shumë projekte se qeveria Kurti
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka vizituar të premten Komunën e Mitrovicës, në kuadër të turit e vizitave që lideri i opozitës ka nisur nëpër komunat e Kosovës.
Krasniqi pas takimit me kryetarin e Mitrovicës Bedri Hamza, së bashku kanë parë nga afër punimet në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Koshtovë, punimet në rrugë në lagjen “Ilirida”, si dhe ato në shkollën “Eqrem Qabej”.
Krasniqi është shprehur se si kryetar i PDK-së ndjehet i kënaqur dhe shumë krenar me punën e Bedri Hamzës në Mitrovicë, i cili për 6 muaj ka nisur më shumë projekte se sa qeveria Kurti.
“Si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës ndjehem në mënyrë të veçantë krenar, sepse këtu e shohim modelin qeverisës të PDK-së. Modelin, i cili në fokus ka qytetarin. Por më shumë se sa që jemi ne krenarë, ajo që është e rëndësishme është që sot janë krenarë qytetarët e Mitrovicës, janë ata që po e shohin për një periudhë shumë të shkurtë një fillim të transformimit të qytetit. Bedri Hamza si kryetar i Komunës së Mitrovicës, e që sjell një përvojë dhe një bagazh të jashtëzakonshëm në pozicione më të larta udhëheqëse në shtetin tonë vërtetë i ka sjellë një vlerë të jashtëzakonshme Komunës së Mitrovicës, duke e kthyer këtë vend në kantier ndërtimi pas pothuajse 8 vitesh stagnim”, ka thënë ai.
Lideri i PDK-së nga Mitrovica edhe njëherë i bëri thirrje qeverisë Kurti që t’i marrë parasysh kërkesat e komunave për rishikim të buxhetit për t’iu përgjigjur nevojave dhe prioriteteve të tyre.
“Ajo që vlen edhe në Mitrovicë të theksohet është fakti që krejt këto projekte që po i shohim sot janë duke u bërë me vetëfinancim, me mjetet vetanake të komunës dhe me donacionet që z. Hamza ka arritur t’i marrë nga donatorët e shumtë ndërkombëtarë. Por, vërehet një mungesë e mbështetjes nga ana e qeverisë qendrore. Këtu edhe një herë e bëjmë një ftesë që e kemi bërë anë e kënd Kosovës në vizitat tona në terren, që qeveria duhet të kthjellet, duhet të kthejë sytë kah komunat, duhet të komunikojë e të bashkëpunojë me kryetarët e komunave, sepse në fund të fundit këta janë adresa e parë e qytetarëve të Kosovës. Për 6 muaj, kryetari Bedri Hamza ka nisur më shumë projekte se qeveria e Albin Kurtit”, ka thënë ai.
Ndërsa kryetari i Komunës së Mitrovicës Bedri Hamza, ka falënderuar kryetarin Krasniqi me bashkëpunëtorë për mbështetjen e plotë si nga ana e partisë, ashtu edhe përmes Kuvendit të Kosovës, ku PDK-ja është lidere e opozitës.
“I kam njoftuar që jemi duke testuar projekte të rëndësishme që e ndryshojnë dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve të Mitrovicës, jemi në dinamikën e realizimit të punimeve. I informova me prioritetet e Komunës së Mitrovicës dhe i falënderoj edhe një herë për mbështetjen e plotë”, ka thënë Hamza.